Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përmendur tri kërkesat që i ka Kosova ndaj Serbisë në kuadër të procesit të dialogut për momentin.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se Serbia duhet të nënshkruajë Marrëveshjen e Ohrit, duhet të dorëzojë Milan Radoiçiqin, i dyshuar për agresionin në Banjskë dhe tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq që e dërgoi vitin e kaluar në BE kundër Kosovës.
“Sa i përket marrëveshjeve përfundimtare në Bruksel, ne kemi një marrëveshje. Nuk bën të harrojmë marrëveshjen që kemi. Dialogu në Bruksel edhe me takimin e Ohrit, e ka sjellë Marrëveshjen Bazike. Marrëveshja Bazike e ka edhe aneksin e zbatimit, ajo çfarë duhet është të respektohet ajo, mirëpo 8 nga 11 nenet i ka shkelur Serbia. Nuk mund të harrohet një marrëveshje e të shkojmë te një marrëveshje tjetër pa e trajtuar kush e shkeli atë marrëveshje. Interesi i Beogradit është të flitet për dialog pa u folë për marrëveshje. Interesi i Beogradit është të thuhet që duhet ta kemi një marrëveshje në të ardhmen, në mënyrë që ajo të mos harrohet nga e kaluara. Para 1 viti e gjysmë kemi bërë një marrëveshje, ajo çfarë insistoj unë është të nënshkruhet ajo. Beogradi nuk mund ta mohojë që kemi bërë marrëveshje. Le ta nënshkruajmë atë si dëshmi e vullnetit e qëllimit të mirë, mirëbesimit ndërmjet palëve dhe garancisë legale për zbatimin”, ka deklaruar Kurti.
“Pa dyshim që kjo nënkupton edhe tërheqjen e letrës së BE-së, 27 shteteve anëtare të cilat ua ka dërguar ish kryeministrja Bërnabiq, por ne njëkohësisht kërkojmë si Republikë e Kosovës dorëzimin e Milan Radoiçicit dhe të kriminelëve të tjerë që vranë Afrim Bunjakun në shtator të vitit të kaluar, të cilët edhe kanë aktakuzë në Republikën e Kosovës. Pra janë tri: Nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së Ana Bërnabiq dhe dorëzimi i Radoicic. Marrëveshje kemi, le të mos harrojmë që marrëveshje kemi, por duhet të respektohet dhe zbatohet ajo”.



Të tjera
Pse gratë përballen me depresion pas lindjes
Pse duhet konsumuar vezët?
Receta me aspirinë që çdo femër duhet t’i dijë