“Kosova të vë diçka mbi tryezë”/ Vjen kundëpërgjigja ndaj Mandl: Serbia është pala që ka refuzuar gjithmonë…!

Dialogu Kosovë-Serbi ka filluar që nga viti 2011, mirëpo pa ndonjë marrëveshje finale mes dy vendeve.

E që nga viti 2011 deri më tani janë arritur mbi 23 marrëveshje në dialogun në nivelin teknik dhe politik.

Por, jo të gjitha marrëveshjet e arritura janë zbatuar.

E mos zbatimi i marrëveshjeve ka sjellur edhe stagnim të dialogut.

E së fundi, për dialogun Kosovë-Serbi ka folur eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.

Ai tha se Qeveria e ardhshme duhet të ketë agjendë të qartë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Kjo çështje, sipas tij, duhet të jetë prioritet për ekzekutivin dhe legjislativin e ri, pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.

Teksa flet për takimet mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, ai shprehet se “është e rëndësishme që të vësh vet diçka në tryezën e bisedimeve”.

“Mendoj se është gjithmonë e rëndësishme në një proces të tillë dialogu, në një negociatë të ardhshme ndoshta, që të vendoset diçka në tryezë nga secila palë. Pra, nëse vë diçka në tryezë, do të kesh mundësinë të kesh një fjalë në agjendë për atë që po flitet. Pra, është e rëndësishme jo vetëm të presësh se çfarë do të vënë në tryezë përfaqësuesit e BE-së, nëse ka diçka fare. Nuk është vetëm e rëndësishme të presësh se çfarë do të mund të vënë në tryezë pala tjetër përkatëse, por është e rëndësishme të vësh diçka vetë në tryezë. Kjo duhet të trajtohet si një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme, të parlamentit të ri në Republikën e Kosovës, që të ketë një agjendë të qartë, të qartë se si të zgjidhen problemet, se si të adresohen çështjet e hapura të pazgjidhura. Kjo do të ishte qasja që mund t’ua rekomandoj të gjithëve në Kosovë, pa marrë parasysh nëse janë në opozitë, në pozitë, pa marrë parasysh kush do të krijojë një qeveri të re”, deklaron ai.

Duke u bazuar në këtë deklaratë të Mandl, a po tenton të paralajmërojë ndonjë gjë me pjesën se “Kosova duhet të vë diçka në tryezën e bisedimëve”?

 

Voca: Është në interesin tonë dhe të të gjithëve që ky proces të prodhojë stabilitet të qëndrueshëm

Në lidhje me këtë temë ka folur doktori i çështjeve ndërkombëtare, Mirsad Voca.

Ai duke u bazuar në deklaratën e Mandl thotë që Kosova ka qenë gjithmonë e angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë.

Ndërsa, për pjesën që “Kosova të vë diçka në tryezë”, Voca thotë që Kosova tashmë ka vënë gjithçka që duhet, tani nevojitet vetëm përkushtim për zbatim të plotë.

Image

Mirsad Voca.

“Unë e kuptoj dhe e respektoj shqetësimin e eurodeputetit Mandl për rëndësinë që ka një agjendë e qartë dhe një qasje e përgjegjshme nga ana e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Kosova gjithmonë ka qenë e angazhuar në këtë proces, pavarësisht sfidave dhe pabarazive që e kanë karakterizuar dialogun ndër vite. Është në interesin tonë dhe të të gjithëve që ky proces të prodhojë stabilitet të qëndrueshëm dhe një marrëveshje që i kontribuon paqes dhe sigurisë në rajon.

Por le ta themi hapur: Kosova e ka vënë në tryezë gjithçka që ka mundur. Kosova ka qenë pala që ka pranuar të negociojë përtej asaj që do të pranohej në kushte normale, ka bërë kompromise dhe ka marrë mbi vete barrën e zbatimit të shumë marrëveshjeve, duke funksionuar në logjikën e një shteti që synon normalizimin. Sot, ajo që mund të ofrojë Kosova nuk është “diçka e re”, por përkushtimi për zbatim të plotë dhe serioz të marrëveshjes së arritur, forcimi i shtetit të së drejtës dhe garantimi i të drejtave për të gjithë qytetarët pa dallim”, u shpreh ai

Më tej, doktori për çështje ndërkombëtare thotë që Serbia është ajo që ka refuzuar çdo zbatim të marrëveshjeve dhe se ajo duhet të detyrohet të ndryshojë qasjen dhe të respektoj marrëveshjet.

“Këtu duhet të jemi të sinqertë: Serbia është pala që sistematikisht ka refuzuar zbatimin e marrëveshjeve, ka refuzuar njohjen e Kosovës dhe madje ka vijuar me veprime destabilizuese dhe retorikë kërcënuese ndaj vendit tonë. Kjo është arsyeja pse sot nuk kemi përparim.

Në këtë fazë, nuk është Kosova ajo që duhet të “sjellë diçka të re”, por është Serbia ajo që duhet të detyrohet të ndryshojë qasjen dhe të respektojë marrëveshjet. BE dhe faktori ndërkombëtar duhet të ndalojnë së kërkuari nga Kosova të japë më shumë nga vetja kur problemi real është përballë: është Serbia. Çdo përpjekje për të barazuar palët apo për t’i kërkuar Kosovës të bëjë lëshime të reja vetëm sa e bën këtë proces më të pakuptimtë dhe të paefektshëm.

Kosova sot nuk ka më çfarë të ofrojë, përveçse përkushtimit për të zbatuar marrëveshjen dhe për të forcuar shtetin e së drejtës. Ky është mesazhi që duhet të dëgjohet qartë edhe në Bruksel”, nënvizoi  doktori për çështje ndërkombëtare, Mirsad Voca.

 

Qarri: Dialogu i pakuptimtë

Kurse, analisti politik, Gani Qarri e sheh dialogun të pasuksesshëm dhe pa asnjë marrëveshje të sukeseshme.

Image

Gani Qarri

Sipas tij, dialogu tanimë është bërë aq i mërzitshëm dhe është shndërruar pothuajse në takime krejtësisht të pakuptimta.

“Pas rikthimit të z. Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë me luftën e ashpër ekonomike, që ai ka hapur kaq me furi, kundër BE-së dhe vendeve gjithandej Globit, si dhe zhvillimeve më të reja politike në Bosnjë e Hercegovinë, përveç ndryshimit të politikës globale, shihet qartë se edhe prioritetet e interesave në botë, kanë ndryshuar tërësisht, andaj shihet qartë se edhe dialogu Kosovë-Serbi, megjithëse për Perëndimin ekziston formalisht, ai ka kaluar në plan të dytë dhe nuk është më çështje me prioritet si dikur, derisa edhe vet Serbia ka probleme të agravuara politike brenda vendit dhe aktualisht nuk ka kapacitete as forcë të theksuar veprimi, për nisjen e ndonjë konflikt të hapur në Kosovë.

Ç`është vërteta, dialogu maratonik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili po zgjat tash e gati një dekadë e gjysmë, përkundër ndërmjetësimit nga BE, asnjëherë nuk është dëshmuar si mjet efikas për të arritur ndryshime reale, në gjendjen e tensionuar ndërmjet të dy vendeve dhe përveçse nuk ka rezultuar me asnjë sukses, pas 13 vitesh e dhjetëra (për të mos thënë qindra), takimeve të mbajtura në Bruksel, Ohër, Bratisllavë etj, janë shpenzuar të gjitha temat.

Prandaj dialogu tanimë është bërë aq i mërzitshëm e monoton, sa që është shndërruar pothuajse në takime krejtësisht të pakuptimta e bajate dhe debat shterp e pa asnjë përmbajtje, veçanërisht kur dihet mirëfilli, se nga qëndrimet tërësisht kontroverse të Serbisë, as që mund të imagjinohen rezultate premtuese”, thotë analisti.

Dialogu Kosovë-Serbi ka mbetur vetëm në formalitet

Më tej, Qarri radhiti disa nga arsyet që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka dështuar.

Duke vazhduar bisedën, ai thotë që në rrjedhën e këtij dialogut është Bashkimi Evropian, ai që ka heshtur gjithmonë.

“Pra një dialog kot, i cili duke pasur parasysh letrën e ish kryeministres serbe Ana Bërnabiq, dërguar në dhjetorin e vitit 2023 Bashkimit Evropian në Bruksel se Serbia nuk e pranon marrëveshjen e Brukselit, nuk do t’i zbatojë disa nga pikat e saj, nuk pranon anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në vijimësi do të përpiqet ta pengojë anëtarësimin e Kosovës edhe në organizatat tjera të rëndësishme ndërkombëtare, shihet qartë se kanë përfunduar edhe bisedimet, pasi që, me këto qëndrime të Serbisë, nuk ka më çka të bisedohet, për çfarë të flitet as të negociohet, ndërmjet të dy vendeve.

Se me Serbinë nuk ka ngelë asnjë arsye as besim, që të bisedohet e dëshmon edhe argumenti tjetër fatkeq, se Serbia së fundi shkeli edhe marrëveshjen për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe edhe 26 vite pas përfundimit të luftës, krimineli Aleksandër Vuçiq, para syve të gjithë botës, bllokon edhe takimet për diskutimin mbi fatin e të pagjeturve.

Se Dialogu i Brukselit ekziston vetëm formalisht, dëshmohet edhe me faktin tjetër të trishtë, se përkundër marrëveshjes së arritur në Bruksel, Serbia hegjemoniste, në aksionin e saj kontrovers të radhës ka bllokuar edhe takimet e grupeve punuese dhe po vazhdon ta mbaj peng edhe më tej, zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, duke penguar takimet e parapara në kuadër të Komisionit të Posaçëm për të Pagjeturit, siç ndodhi me bojkotimin nga ana e Serbisë të takimit të caktuar më 15 janar të këtij viti.

Dhe për habi, nga atëherë e deri më tani, duket se as Bashkimi Evropian përveçse ka heshtur, nuk ka caktuar asnjë datë tjetër për takimin e radhës, të paktën për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, derisa dihet botërisht se familjet e tyre në Kosovë, tash e mbi 26 vite presin me varre të hapura, pa pasur as ku ti kujtojnë bijtë e vet të martirizuar”, shpjegoi Qarri.

Më tej, analisti përmend protestat e mëdha në Serbi të cilat po zhvillohen e që sipas tij, janë pengues që të këtë së shpejti bisedime.

“Serbia mbetet i njëjti shtet kriminal dhe gjenocidial që njëjtë siç ka bllokuar takimet e dy ekipeve të diskutimit mbi fatin e të pagjeturve, ka penguar në vazhdimësi edhe dialogun me qëndrimet e saj bllokuese, kështu që tanimë, kanë kaluar mbi dy vite, pa pasur asnjë takim të udhëheqësve kryesor të bisedimeve ndërmjet të dy shteteve dialoguese.

Andaj megjithëse Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, pati deklaruar se nga BE po presin formimin e qeverisë së re të Kosovës për të parë mundësitë dhe shqyrtuar mënyrën, se si mund të ecet më tej në dialogun ndërmjet të dy vendeve, gjendja politike me protesta të vazhdueshme masive dhe kaq të fuqishme studentore në Serbi, nuk është reale të besohet se vërtetë së shpejti mund të kemi edhe rifillim të bisedimeve Kosovë Serbi”, theksoi ai.

Situatë e paqartë dhe problematike

Qarri duke folur për gazetën përmend përfaqësuesit, Borrell dhe Lajçak duke thënë që të njëjtit e kanë sjellur një dialog të dështuar pasi kanë qenë gjithmonë në krah të Serbisë.

“Në anën tjetër, duke pasur parasysh qëndrimet e mëparshme të ish përfaqësuesve më të lartë politik të BE-së, si Josep Borell dhe emisarit të saj në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, nëse edhe pas ngjarjeve në Banjskë, nuk ndryshon qëndrimi pro-serb i BE-së, dhe përkundër të gjitha krimeve, masakrave e gjenocidit që ka shkaktuar Serbia në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare vazhdon të kërkojë një marrëveshje, vetëm sa për ta formuar asociacionin një etnik serb, pa zbatuar njohjen reciproke dhe arritur normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, ky dialog, apriori është i destinuar të dështojë komplet, i cili edhe ashtu po i afrohet një dekade e gjysmë që zhvillohet, pa sukses, dhe gjendja e tij u diskreditua tërësisht nga ndërmjetësuesit e njëanshëm pro serb të BE-së.

Kështu që situata aktuale, në të cilën realisht ndodhet sot dialogu, edhe më tepër se dy vite pas marrëveshjes së Brukselit dhe dakordimit të aneksit të Ohrit dëshmon më së miri se animi i hapur i udhëheqësve kryesor për politikë të jashtme të BE-së Josep Borell dhe ndërmjetësuesit të bisedimeve Mirosllav Lajçak ndaj Serbisë hegjemoniste, ka sjell një situatë aq të paqartë dhe problematike, sa që as pas dy vitesh të mos mund të rifillojë përsëri dialogu, pa ndërrimin komplet të qasjes, formës së ndërmjetësimit nga ana e BE-së dhe mënyrës së dialogimit, duke filluar nga trajtimi i barabartë i të dy shteteve, si alfa e këtyre bisedimeve, që deri më tani nuk respektohej pikësëpari as nga vet BE”, shpjegoi analisti.

Kosova të mos bëjë kompromise që e dëmtojnë

Në fund, Qarri përmend deklaratën e Mandl duke thënë që Kosova duhet të propozoj vetë një draft-statut mirëpo asnjëherë që nuk është përputhje me Kushtetutën e vendit.

“Prandaj ashtu siç deklaroi edhe eurodeputeti austriak, z. Lukas Mandl, nëse dialogu vërtetë fillon të zhvillohet në mënyrë normale, me njëtrajtshmëri trajtimi dhe pjesëmarrje në bisedime në baza të barabarta, edhe Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të ketë agjendë të qartë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, veçanërisht sa i takon kërkesës së BE-së për asociacionin, ku Kosova duhet të paraprijë me propozimin e vet, duke vënë në tryezën e bisedimeve platformën për formimin e një Këshilli Nacional për pakicën serbe, njëjtë apo ngjashëm me Këshillin nacional serb të krijuar në Kroaci, e që duhet të jetë fjala e fundit dhe kompromisi përfundimtar, ngase ky Këshill është miratuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe po me këtë Këshill, Kroacia është anëtarësuar edhe në BE.

Këshilli Nacional për minoritetin serb, duhet të jetë fjala e fundit dhe kompromisi përfundimtar, përtej të cilit Kosova në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim, nuk guxon të kalojë dhe komprometojë e vë në rrezik vazhdimësinë e shtetit të vet, duke kërkuar të njëjtat benefite edhe për shqiptarët nën Serbi, kështu që për mua personalisht, gjëja më e rëndësishme dhe kompromisi kapital, përtej të cilit Kosova nuk mund, as nuk guxon të dal, do të ishte ofrimi në tryezën e bisedimeve, i një Këshilli Nacional, për 3-4% të banorëve minoritar serb që jetojnë në Kosovë, dhe pikë!, përndryshe, çdo gjë përtej kësaj kornize, jo vetëm që nuk mund të arsyetohet, por as nuk guxon të pranohet, pa dashur qëllimisht të kalohet në tradhti të lartë ndaj shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, nga kushdo që mund ta formojë qeverinë e re dhe udhëheqë vendin në periudhën e pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025”, përfundoi analisti Qarri