Trepça ’89 ishte skuadra e parë nga Kosova që u paraqit në kualifikimet evropiane, që nga pranimi i FFK-së në institucionin më të lartë të futbollit evropian, UEFA.
Në dy ndeshjet e vlefshme për Champions League, mitrovicasit shënuan vetëm nga një gol në eliminimin e tyre nga Víkingur Gøta i Ishujve Faroe.
Më pak se “Minatorët” ka realizuar vetëm Malisheva, që mbrëmë humbi në Prishtinë 0-1 nga një tjetër Vikingur, ai i Islandës, derisa vitin e kaluar e mundi Buduçnostin e Malit të Zi 1-0 në Podujevë, për t’u eliminuar më pas nga humbja 3-0 në Podgoricë, njofton Klankosova.tv.
Padyshim që dukshëm shumë më shumë ka realizuar Ballkani, duke qenë se dy herë kishte arritur të futej në fazën e grupeve në UEFA Europa Conference League, kurse vitin e kaluar ishte deri në rrethin e tretë eliminator të këtij kompeticioni.
42 herë e ka tundur rrjetën ish-kampioni i Kosovës, gjatë rrugëve kualifikuese evropiane.
Në edicionin 2022/23 “Xhebrailat” në raundin e parë të Ligës së Kampionëve, shënuan një gol në barazimin me Zalgiris në “Fadil Vokrri”. Pasi u eliminuan nga kjo fazë, zbritën në Konferencën e Evropës, ku në rrethin e dytë i shënuan plot 10 herë ekipit nga San Marino, La Fiorita (6-0 dhe 4-0).
Deri në finalet e UECL-së, atë edicion Ballkani realizoi 18 gola.
Po aq herë kjo skuadër tundi rrjetat kundërshtare edhe në eliminatoret e sezonit 2023/24, raporton Klankosova.tv
Ndërkohë vitin e kaluar shënoi veç gjashtë herë.
E dyta është kampionia aktuale e Kosovës, me 20 më pak.
Drita ka 22 gola në kualifikimet e kompeticioneve evropiane, përfshirë realizimin e Arb Manaj, pasi të martën që shkoi, me golin e tij, gjilanasit e mundën 1-0 ekipin nga Luksemburgu, Differdange, me të cilët javën e ardhshme e zhvillojnë ndeshjen e kthimit, të vlefshme për UEFA Champions League.
E treta është skuadra më e trofeshme kosovare, Prishtina.
Kryeqytetasit kanë realizuar 20 gola, derisa pas tyre është Gjilani me 7 sosh, pasuar nga Dukagjini, Llapi e Feronikeli, që kanë shënuar nga 6 herë.
Nga futbollistët, Meriton Korenica plot 10 herë ka mposhtur portierët kundërshtarë në Evropë, derisa pas tij është Albion Rrahmani, me 9 realizime, transmeton Klankosova.tv.
Sivjet në gara evropiane janë katër skuadra konkurruese.
Drita në Ligën e Kampionëve, Prishtina në Ligën e Evropës, kurse Malisheva e Ballkani në atë të Konferencës.
Këta të fundit e nisin kampanjën nga raundi i dytë, duke pritur kundërshtarin prej ndeshjeve ndërmjet Florianas nga Malta dhe Haverfordwestit të Uellsit.
Të tjera
Ballkani mes dronëve të NATO-s dhe raketave nga Lindja
Halil Geci: Edhe pa Kurtin, populli nuk e dorëzon Mitrovicën
Shqiptarët me parulla edhe në gjuhën angleze bëjnë thirrje për drejtësi në Hagë, pamje