Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, për Expose të Gazeta Blic ka thënë se qasja e qeverisë ndaj kësaj komune është njësoj si ndaj të gjitha komunave që nuk udhëhiqen nga VV.
Ai ka theksuar se qasja nuk ka ndryshuar as pas zgjedhjeve parlamentare, teksa ka shtuar se problemi më i madh është me ministrinë e financave, teksa ka theksuar se vitin e kaluar i janë marrë kësaj komune 1 milion euro.
“Sa i përket qasjes së Qeverisë Kurti ndaj Komunës së Dragashit është e njëjtë sikur për çdo komunë që nuk qeveriset nga Vetëvendosje. Qasja nuk ka ndryshuar, siç ka qenë para zgjedhjeve parlamentare, është e njëjta qasje edhe pas zgjedhjeve. Ne problemin më të madh e kemi me Ministrinë e Financave, sa i përket alokimit të buxhetit dhe çështjes së kontratës kolektive. Do të thotë, vitin e kaluar afër 1 milion euro na është marrë për këtë punë, këtë vit para një javë na janë marrë afër 200 mijë euro dhe për fat të keq na janë marrë disa mjete prej 6 projekteve, na janë marrë edhe të hyrat vetanake të cilat kanë qenë të dedikuara për bujqësi”, ka thënë ai.
Xheladini ka përmendur problemet që kanë me qeverinë, si kryesore kontrata kolektive.
“Po e bën ndaj të gjitha komunave dhe jo vetëm ndaj Komunës së Dragashit. Ju e dini që kontrata kolektive nuk është nënshkruese, nuk janë komunat, është qeveria, Ministria e Arsimit, Sindikata e Pavarur e Kosovës, kështu që problemin e pagesës është dashur ta marrë përsipër qeveria e Kosovës e jo të na marrë mjetet nga buxheti i komunave që ne janë ndarë neve, e sidomos buxhetin për investime kapitale. Tash po kemi probleme me implementimin e projekteve që kanë qenë të parapara edhe në Asamblenë Komuale. Këto janë pengesat kryesore. Gjithashtu kemi problem edhe me grantin e performancës, që edhe pse procedurat kanë filluar vitin e kaluar, deri para një muaji mjetet nuk na janë alokuar”, ka potencuar ai për Expose.
Sa i përket komunave që udhëhiqen nga Vetëvendosje, Xheladini thotë se atyre komunave u lëshohen miliona euro shtesë, për dallim nga komunat tjera.
“Qasja sa i përket kontratës kolektive është e njëjtë por atyre ju lëshojnë mjete shtesë, miliona mjete shtesë për projekte qysh ata kanë mundësi që me ato mjete shtesë që po ua lëshon qeveria ta paguajnë kontratën kolektive, ndërsa ne këto projekte i kemi të planifikuara, na duhet t’i zbatojmë dhe është problem i madh që ne e kemi projektin më madhor që është ujësjellësi për 15 fshatra dhe Dragashin, ku nga ky projekt vitin e kaluar na janë marrë gjysmë milionë euro dhe gjithë projekti është 3.5 milionë, ndërsa ne gjithë këtë e kemi bërë me mjete vetanake, pa asnjë ndihmë nga qeveria qendrore. Zgjidhja sipas nesh është që do të thotë të zbatohet ligji, Kushtetuta dhe marrëveshjet me Qeverinë dhe kontrata kolektive të merret si obligim i qeverisë qendrore”, ka deklaruar kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini./Gazeta Blic/
Të tjera
Ballkani mes dronëve të NATO-s dhe raketave nga Lindja
Protestë në përkrahje të ish-luftëtarëve të UÇK-së në Hagë
Janë shpërngulur 629 nxënës nga Kosova