Analisti Lirim Gashi e konsideron si tallje me drejtësinë dhe pupullin vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për të akuzuarit në rastin veteranët.
Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim ish-kryeministrin Agim Çeku dhe 9 të akuzuarit: Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, në rastin “Veteranët”. Kurse, u liruan nga akuza Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj.
Gashi thekson se rasti veteranët është një nga rastet më të turpshme të abuzimit me luftën çlirimtare dhe buxhetin e shtetit.
“Kostoja për buxhetin e shtetit, sipas përllogaritjeve të ekspertëve të financave publike, kapërceu 100 milionë euro në dekadë.
Dënimi i shqiptuar? Një vit burg me kusht – që në thelb është një shpërblim për një krim të përmasave kombëtare.
Ky vendim është vulë mbi aktin se drejtësia në Kosovë është ende robëreshë e mafisë politike që sundoi vendin për dy dekada pas luftës.
Ata që e ndërtuan këtë shtet si një minierë të përkohshme për ta plaçkitur, janë po ata që kontrollojnë sot prokurorinë, gjyqësinë dhe shumicën e mediave.
Kur ligji i mbron hajnat dhe e ndëshkon të drejtin, atëherë – siç thoshte Platoni – “shteti është një shpellë ku drejtësia është hija e një zjarri që e kontrollojnë të fortët”.
Ky vendim është dëshmi që Nietzsche kishte të drejtë kur thoshte : “Nëse e vërteta bëhet e padurueshme, institucionet juridike të shoqërisë së pambrojtur nga padrejtësia, e shpallin të papërshtatshme.”, potencon analisti
Më tej, ai pyet se çfarë është një vit me kusht për një vjedhje të identitetit të luftës, për një gënjeshtër që e lëndon të vërtetën e popullit?
“Në Kosovë, nëse vjedh një qese oriz në supermarket – për shkak të varfërisë – ke gjasë të marrësh më shumë burg sesa nëse vjedh identitetin e UÇK-së, gjakun e dëshmorëve, dhe miliona euro nga buxheti.
Këta burreca, përfshirë edhe ata dy që u liruan, kanë bërë një orgji me nderin kombëtar, dhe janë dënuar sikur të kishin harruar të paguajnë parkingun”, nënvizon ai.
Gashi flet edhe në lidhje me deklaratat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti për shtetin e kapur e drejtësinë selektive, duke i dhënë plotësisht të drejt deklaratave të tij.
“Kur Albin Kurti flet për “shtetin e kapur”, e ka fjalën pikërisht për këtë:
Një kastë e ish-komandantëve të shndërruar në trafikantë tenderësh, të cilët, në vend se ta mbrojnë gjakun e luftës, e përdorin si deodorant për krimet e tyre.
Këta njerëz e ndërtuan shtetin si skemë piramidale morale, ku çdo padrejtësi fshihet pas flamurit.
Kur Kurti thotë që drejtësia është selektive, flet nga përvoja e njeriut që për protestë merr burg, ndërsa ata që e përbuzin gjakun e dëshmorëve marrin vit me kusht.
Ky vendim është një shpullë në fytyrën e çdo veterani të vërtetë, një harresë për ata që dhanë jetën, dhe një bekim për ata që e përdhosen luftën për tendera, poste dhe pensione të rrejshme.
Sot, Kosova është më afër një tragjikomedie se sa një republike të drejtë.
Prandaj, drejtësia në Kosovë nuk është e verbër – ajo sheh shumë mirë… por sheh vetëm në drejtimin që ia tregon mafia”, shton Gashi.
Ai kritikon edhe mediet që sipas tij, dënimit të të akuzuarve për abuzim me lista të veteranëve nuk ua dhanë hapësirën e duhur.
“Mediet tona, të shitura tek djalli, raportuan për këtë vendim gjyqësor ashtu siç raportojnë gjyshet për domatet dhe specat në treg, të cilat, për shkak të motit të keq, nuk kanë shije natyrale.
E bënë këtë me një ngutje të qëllimshme për ta fshehur turpin e kriminelëve që i mbrojnë.
Në këtë mënyrë na bënë të qartë, pse me plot të drejtë i urrejmë nga thellësia e zemrës”, thekson Gashi.
Për këtë vendim të Gjykatës, Gashi thekson se duhet të reagojë populli, ndërsa tregon edhe arsyet se pse.
“Ky vendim nuk është vetëm padrejtësi – është një ftesë publike për recidivizëm politik dhe moral. Ai i jep sinjalin e qartë të gjithë pretendentëve për pushtet: “Plaçkit, manipulo, përdhos historinë – dhe do të marrësh vetëm një vit me kusht, ose fare asgjë.”
Ky është një precedent i rrezikshëm që legjitimon korrupsionin si metodë jetese, dhe krimin si instrument karriere.
Nëse ky dënim mbetet pa reagim qytetar, ai do të shërbejë si certifikatë amnistie për të gjithë ata që synojnë të rikthehen në pushtet duke përdorur metodën e listave të rrejshme, mashtrimeve patriotike dhe shantazhit me të kaluarën.
Do t’i shohim sërish në skenë me fjalime për “lavdinë e luftës”, ndërkohë që blejnë vota me pensione të veteranëve fiktivë dhe e grabitin popullin me buzëqeshje hipokrite.
Prandaj, nuk mjafton vetëm ta dënojmë me fjalë këtë vendim – duhet të ngrihemi si popull.
Me protesta, me peticione, me bojkot moral dhe me rezistencë qytetare.
Sepse heshtja sot është bashkëpunim dhe bashkëfajësi nesër.
Unë Lirim Gashi po e shkruaj të vërtetën falas për ju. Ju që e lexoni të vërtetën time falas, do të ma bënit nderin më të madh sikur të paktën ta shpërndanit falas. Sepse vërtet nuk ju kushton asnjë cent”, përfundoi publicisti..
Të tjera
BE ia jep 7.5 milionë euro për ta rritur qëndrueshmërinë energjetike të Kosovës
Kosova qëndron në solidaritet me Ukrainën
Bllokohet propozimi i Cvijanoviqit për ta nominuar Trumpin për Çmimin Nobel