FSK pajiset me autoblinda amerikanë – Mesazh i qartë për sigurinë rajonale dhe përforcim i partneritetit me SHBA

Forcat e Sigurisë së Kosovës tashmë janë pajisur edhe me disa autoblinda të rinj të prodhimit amerikan.

Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar raportimin e mediave se FSK është pajisur me autoblinda, por nuk dha shumë detaje rreth numrit apo përdorimit të tyre.

Konfirmojmë se kemi pranuar disa autoblinda, prodhim i ShBA, të cilat janë prokuruar bazuar në planin bilateral të blerjeve shtet më shtet, miratuar paraprakisht, dhe pritet të pranojmë edhe disa të tjera deri në përfundim të këtij aktiviteti të blerjeve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes

“Këto janë informacionet të cilat mund të ndajmë me publikun në këtë fazë”, theksohet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Këtë deklaratë Trump e bëri më 14.07.2025, gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me ç’ rast përmendi angazhimin e tij për t’u dhënë fund disa luftërave në botë.

“… Ne arritëm, e zgjidhëm atë me Serbinë dhe Kosovën. Ajo [lufta] do të ndodhte. Dhe përdora përsëri atë që është e rëndësishme për të ndalur luftëra… Ne po punojmë, Marko Rubio [Sekretari i Shtetit] po punon shumë me të gjithë këtu”- ka thënë Trump.

Ekspertët e sigurisë kanë folur rreth autoblindave dhe nevojës që Kosova të shtojë bashkëpunimin me SHBA-në.

Pajisjet ushtarake ndikojnë në aftësinë operacionale të FSK-së

Arben Dashevci, ekspert sigurie thotë se pajisja e FKS-së me autoblinda amerikanë është në kuadër të bashkëpunimit.

Image

Arben Dashevci

Ai mendon se do të ketë edhe pajisje tjera, gjersa shton se kjo përbën vazhdimin e bashkëpunimit me aleatin e përjetshëm, SHBA-në.

“Po Forca e Sigurisë së Kosovës është pajisur me autoblinda amerikanë dhe kjo është në vazhdën e bashkëpunimit dhe mendoj se do të ketë edhe shumë pajisje të tjera deri ne kompletimin e kapaciteteve të plota operacionale të FSK- së. Është lajm shumë i mirë dhe vazhdimësi e bashkëpunimit me aleatin e përjetshëm SHBA- të dhe partnerëve strategjikë nga BE. Këto janë pajisje teknike ushtarake dhe këto autoblinda automatikisht ndikojnë në aftësinë operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës sepse janë të domosdoshme për një Ushtri dhe me këto pajisje kompletohet nevoja imediate operacionale”, deklaron Dashevci.

Sipas tij, veprimi i SHBA-së është mesazh i qartë për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Ai shton se Serbia nuk mund dhe nuk guxon të tentojë ndonjë sulm direkt ndaj Kosovës.

 “Ky donacion tregon që proceset në Republikën e Kosovës nuk ndalen sepse janë kruciale dhe tregon përkrahjen por edhe dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, dhe ky veprim shihet mendoj unë si një mesazh i qartë për stabilitetin dhe sigurinë në rajon, sepse janë kapacitete mbrojtëse dhe mbeten si të tilla mbrojtëse. Kosova ka vetëm kapacitete mbrojtëse për faktin se kurrë në histori të saj nuk ka sulmuar askënd asnjëherë. Serbia ose reagimet e saja janë gjithmonë destruktive deri më sot ndaj përforcimit të FSK-së me pajisje ushtarake, por proceset ne vendin tonë nuk ndalen pa marrë parasysh reagimet e Serbisë, ne jemi Shtet i Pavarur dhe Sovran dhe sillemi si të tillë. Bashkëpunimet me SHBA-të dhe ne jemi aleati i përjetshëm, furnizohemi thjeshtë nga aleati dhe partnerët strategjikë nga NATO dhe BE. Serbia nuk mund dhe nuk guxon mendoj unë as që mund te tentojë ndonjë sulm direkt, argumenti kryesor është deklarata e Presidentit Trump e përsëritur 2 here si deklaratë. Nuk lejohet më destabilitet në formë hakmarrjeje apo çfarëdo lloji dhe Serbia këtë e di fare mirë. NATO është në Kosovë dhe ballafaqohet me NATO-n, por siç e ceka nuk lejohet dhe nuk vjen në shprehje asnjë sulm direkt”, pohon eksperti

Më 15.06.2025, Trump derisa ka bërë thirrje për marrëveshje ndërmjet Izraelit dhe Iranit, në kohën kur dy vendet kishin ashpërsuar sulmet ndaj njëri-tjetrit në kuadër të luftës mes tyre që ka nisur në orët e para të së premtes, më 13.06.2025, kishte shfaqur shpresën se do t’i bëjë dy vendet të arrijnë një marrëveshje, siç i ka bindur, sipas tij, disa vende të ndalin përballjet ushtarake.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur si suksese të tij marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Donald Trump shkroi se “gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përballeshin ashpër, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në luftë. Unë e ndala atë”.

Sa i përket Kosovës e Serbisë, Trump ka kritikuar paraardhësin e tij, presidentin Joe Biden, i cili, sipas tij “ka dëmtuar perspektivat afatgjate me disa vendime, por unë do ta rregulloj përsëri”.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka informacione të besueshme se presidenti amerikan, Donald Trump, së voni ka parandaluar mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

Ajo i bëri komentet gjatë një ligjërate në Uashington, ku, po ashtu, rikujtoi sulmin e shtatorit 2023 në Banjskë, duke e cilësuar atë si një “akt agresioni” nga Serbia – “të përgatitur tërësisht brenda Serbisë”.

“Furnizimi me pajisje ushtarake nga SHBA është një tregues konkret se Kosova mbetet në orbitën e interesit strategjik amerikan në Ballkan”

Image

Drizan Shala

Kurse, eksperti i sigurisë Drizan Shala thotë se autoblindat amerikanë përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm.

Ai ka përmendur vlerat strategjike dhe politike.

Ky furnizim me autoblinda amerikane për Kosovën përbën një zhvillim të rëndësishëm në aspektin strategjik, simbolik dhe operativ, sidomos në kontekstin aktual të **rrezikut të vazhdueshëm nga Serbia dhe tensioneve hibride në veri. Vlera Strategjike dhe Politike:

 Forcimi i partneritetit me SHBA-në: Furnizimi me pajisje ushtarake nga SHBA është një tregues konkret se Kosova mbetet në orbitën e interesit strategjik amerikan në Ballkan. Është edhe një garanci simbolike dhe teknike që SHBA mbështet ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë në Kosovë.

Mesazh për Serbinë dhe Rusinë: Në kohën kur Rusia po tenton zgjerimin e ndikimit nëpërmjet Serbisë, kjo mbështetje është një sinjal i qartë parandalues për çdo skenar të mundshëm agresioni ose destabilizimi.

Ai thotë se Kosova duhet të forcojë më tej lidhjet me SHBA-në dhe jo të bëjë polemika politike apo retorike.

Në vend të polemikave politike apo retorikës shpesh anti-amerikane që vjen nga disa qarqe politike në Kosovë, vendi duhet të forcojë më tej lidhjet me SHBA-nëpërmes:

Rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes (stërvitje të përbashkëta, ndërtim infrastrukture, partneritete të FSK me Garda Kombëtare të SHBA).

Koordinimit strategjik në luftën kundër dezinformimit dhe operacioneve hibride.

Formalizimit të një marrëveshjeje të mbrojtjes të përhershme, në kuadër të NATO-së ose bilaterale me SHBA-në”, përfundon Shala.