Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se qëllimi përfundimtar i bisedimeve Rusi-Ukrainë është një armëpushim që do të hapë rrugën për paqe, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Duke folur në takimin trepalësh Turqi-Rusi-Ukrainë në Stamboll, ku organizohet raundi i tretë i bisedimeve të paqes midis Moskës dhe Kievit, Fidan tha se Turqia si ndërmjetësuese e bisedimeve do të vazhdojë të përmbushë rolin e saj.
“Shkëmbimin e memorandumeve, që pasqyrojnë perspektivat e palëve mbi një armëpushim dhe paqe në raundin e dytë të bisedimeve, ne e konsiderojmë një zhvillim të rëndësishëm”, tha Fidan.
Shefi i diplomacisë turke shprehu shpresën se në këtë raund bisedimesh palët do të angazhohen në konsultime thelbësore dhe të orientuara drejt rezultateve mbi memorandumet që shkëmbyen më parë.
Dy raundet e para u mbajtën më 16 maj dhe 2 qershor, po ashtu në Stamboll. Të dyja palët ranë dakord të shkëmbejnë të burgosur shtesë lufte, duke i dhënë përparësi më të rinjve dhe më të plagosurve rëndë, si dhe të kthejnë nga secila palë trupat e 6 mijë ushtarëve.
Moska dhe Kievi po ashtu shkëmbyen memorandume që përshkruanin vizionet e tyre për t’i dhënë fund konfliktit që ka vazhduar që nga shkurti i vitit 2022.
Në raundin e tretë, delegacioni i Rusisë kryesohet nga ndihmësi presidencial, Vladimir Medinsky, ndërsa delegacioni i Ukrainës kryesohet nga kreu i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, Rustem Umerov.



Të tjera
Shenjat që tregojnë se keni nevojë për kalcium
Florentino Perezi po shtyn për Michael Olisen, mund t’i kushtojë 160 milionë euro
Gjethet e dafinës të mira për tretje dhe kundër diabetit