Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka hedhur poshtë në mënyrë të prerë pretendimet se ajo ka kërkuar ndërtimin e ndonjë rezidence presidenciale për qëllime personale, transmeton KosovaPost.
Përmes një reagimi zyrtar, nga zyra e saj është bërë e ditur se asnjanëherë nuk është kërkuar ndonjë objekt me oborr privat, dhoma private apo ndonjë luks tjetër personal.
Sipas njoftimit, plani ideor i shpallur për ndërtimin e objektit të Presidencës nuk ka marrë miratimin e Presidentes, dhe brenda kornizës ligjore, ajo do të kërkojë rishikimin e projektit për t’iu përshtatur nevojave reale të shtetit dhe jo ndonjë interesi personal.
Presidentja thotë se ka kërkuar që të procedohet vetëm me ndërtimin e një objekti zyrtar, që do të shërbejë për takime dhe pritje shtetërore.
Ajo ka theksuar se Kosova është vendi i vetëm në Evropë, ndoshta edhe në botë, ku Kreu i Shtetit nuk ka një ndërtesë të dedikuar për funksionin e tij/saj. Aktualisht, pritjet zyrtare mbahen në sallat e Kuvendit, ku sipas Presidencës, kushtet janë të papërshtatshme, deri në atë masë sa liderët e shteteve mike përballen me erën e kanalizimeve.
Ndërkaq, mungesa e ambienteve për darka apo pritje të nivelit të lartë ka bërë që këto të mbahen në restorante private, çka, sipas Presidentes, është praktikë e pazakontë për një shtet serioz, dhe një turp kombëtar që 26 vjet pas çlirimit, kjo çështje themelore mbetet e pazgjidhur.
Presidentja Osmani ka sqaruar më tej se edhe nëse fillon ndërtimi i objektit zyrtar, përfundimi i tij do të kërkojë së paku 5 deri në 6 vite, që nënkupton se ajo nuk do të përfitojë nga ai objekt gjatë mandatit të saj. Prandaj, çdo pretendim se ajo po ndërton për veten e saj është cilësuar si i pabazë dhe jashtë çdo logjike.
Pa suita personale, vetëm ambiente zyrtare
Zyra e Presidentes thekson se nuk është autorizuar ndërtimi i ndonjë suite apo hapësire private, por janë kërkuar vetëm ambiente pune dhe pritjeje shtetërore — përfshirë një suitë pritjeje për liderët dhe homologët ndërkombëtarë, praktikë e zakonshme në çdo presidencë të vendeve demokratike.
Në përmbyllje të reagimit, theksohet se ndërtimi i një objekti për Presidencën është një domosdoshmëri shtetërore, jo luks personal. Objektivi është garantimi i kushteve dinjitoze pune, sigurisë dhe përfaqësimit të denjë të shtetit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Ndërtimi i këtij objekti nuk ka të bëjë me Presidenten Osmani, por me institucionin e Presidencës dhe respektin që një shtet i jep vetes dhe përfaqësimit të tij”, përfundon reagimi.



Të tjera
Thuaji lamtumirë celulitit me këtë scrub natyral me kafe
Pse s’duhet të mbajmë sekrete?
Kurti mbi 309 mijë vota, Konjufca 240 mijë, 10 më të votuarit në VV pas numërimit të rreth 90 përqind të votave