Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati pas dështimit të 52-të të tentativës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës tha se seanca e nesërme është mundësi që duhet të shfrytëzohet nga të gjithë deputetët që t’i hapet rruga afateve tjera kushtetuese për formimin e institucioneve të vendit.
Murati në prononcim për media tha se Kosova është në territor të pashkelur juridikisht teksa komentoi masën e re të Gjykatës Kushtetuese deri me datën 8 gusht.
“E dëgjuat kryesuesin e seancës i cili na ftoi në seancë të nesërmen në orën 14:00. Kjo është një mundësi që do duhej të shfrytëzuar nga të gjithë deputetët që t’i hapet rruga e konstituimit të Kuvendit dhe të procedojmë tutje me afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë. Jemi në territor të pashkelur më parë juridikisht, i takon Gjykatës Kushtetuese që e ka kërkuar afatin deri më 8 gusht që të sqaroj se çka do të ndodhë”, tha Murati.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje tha se subjekti që ai i takon ka bërë kompromiset e nevojshme për të tejkaluar ngërçin politik teksa ftoi partitë e tjera për të lëvizur në qëndrimet e tyre.
“Ne kemi ofruar edhe marrëveshje politike edhe kompromise të nevojshme, u takon edhe palëve tjera të bëjnë lëvizje para, sepse ne si fitues kemi bërë lëvizjet e nevojshme. Nisma në këtë rast do duhej të votonte, pra konstituimi i Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve. Ne për Nismën Socialdemokrate kemi pasur edhe ofertë për bashkëqeverisje kemi pasë edhe për LDK-në, por ata nuk po mund të shkëputen nga PDK dhe Lista Serbe. Siç e kemi thënë më herët, këto dy çështje janë të ndara, konstituimi i Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve. Formimi i Qeverisë është obligim i koalicionit qeverisës që e përbën shumicën. Megjithatë, nëse ka pasur kërkesa që duhet të ketë marrëveshje politike edhe për konstituim të Kuvendit edhe këtë gjë e kemi ofruar, por deri më tani nuk kemi pasur përgjigjje pozitive me subjektet me të cilat kemi diskutuar”, shtoi Murati.
Tutje, Murati theksoi se posti i kryeparlamentarit i takon partisë së parë, duke dhënë sinjale se nuk do të ketë kompromis në këtë post.
“Sa i përket postit të kryeparlamentarit ne e kemi theksuar dhe këtë gjë e ka sqaruar edhe Gjykata Kushtetuese. Është tepër e qartë në Kushtetutë që fituesit të zgjedhjeve i takon kandidati apo propozimi për kryetarin e Kuvendit në këtë rast propozimi ynë është Albulena Haxhiu dhe duhet të lëvizim tutje në këtë formë”, përfundoi Murati.
Të tjera
ShBA, Trump dislokon Gardën Kombëtare në Memphis për të lu*ftuar kr*imin
Një i lënduar nga të shtënat me ar*më zj*arri në Pejë
Kurti mirëpriti ambasadorin e ri të Sllovenisë në Kosovë