Asfalt i paguar, punë e papërfunduar – Prokuroria ngre aktakuzë ndaj dy zyrtarëve në Komunën e Suharekës

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve B.K., dhe E.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe kundër D.S., dhe personit juridik “S.C.O” Sh.P.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas aktakuzës thuhet se të dyshuarit duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, me dashje i tejkalojnë kompetencat e tyre të përcaktuara me ligj dhe veprojnë në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik.

“Prej datës 13.07.2022 e deri me datën 12.12.2022 në Suharekë, në bashkëkryerje, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtar dhe atë, i pandehuri B.K., – Zyrtar i lartë për Menaxhimin e Projekteve në Komunën e Suharekës, i caktuar si Menaxher i Projektit të prokurimit me titullin e kontratës ‘’ Ndërtimi i rrugëve lokale Lot 8-lot5 Nëntori i dytë, ‘Xhemajl Morina’, Mehmet Bytyqi segment në Reshtan’ si dhe i pandehuri E.Sh., i caktuar si Mbikëqyrës i Drejtpërdrejtë i Menaxherit të kontratës në projektin e njëjtë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, me dashje i tejkalojnë kompetencat e tyre të përcaktuara me ligj dhe veprojnë në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik dhe Rregulloren për prokurimin publik, ku nga provat e siguruara rezulton se të hollat në vlerë prej 24.945.32 euro janë paguar për operatorin ekonomik, e që në realitet rrugët nuk janë shtruar ashtu siç ishte paraparë në kontratë. Të pandehurit, përpilojnë raporte fiktive dhe të rrejshme, dhe nënshkruajnë raportin e pranimit teknik duke konstatuar se kinse punimet janë realizuar sipas kontratës, edhe pse ka pasur ndryshime në mes të sasisë së kontraktuar dhe asaj të realizuar duke përfshirë materialin e planifikuar, gjatësinë dhe gjerësinë e rrugëve e pikërisht gjendja reale e vlerës së punimeve të kryera është më e vogël se vlera e punimeve të parapara në këtë kontratë edhe atë në punët paraprake, ku në përgjithësi vlera e punimeve të realizuara është 13,272.66 euro më pak se vlera e paraparë në kontratë, e që në realitet këto punime më vonë realizohen me kontratën e datës 22.11.2022 me titull ‘Ndërtimi i rrugëve lokale Nëntori i dytë, ’Xhemajl Morina’, Mehmet Bytyqi segment, etj në Reshtan – faza e dytë’, e si pasojë Komunës së Suharekës  i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 13,272.66 euro”, thuhet nw aktakuzw.

Tutje bëhet e ditur se me këto veprime në cilësi të bashkëkryerësve të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të KPRK-së.

Me këto veprime të njëjtit, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” të  KPRK-së.