Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë sot se shteti i Serbisë jo vetëm që keqpërdor vizitat zyrtare në Kosovë përmes zyrtarëve të saj duke nxitur urrejtje dhe përçarje, por vazhdon propagandën e saj edhe pas marrëveshjeve me institucionet e Republikë Kosovës për pranim të fajësisë si në rastin e Igor Popoviq.
Reagimi i ministres Haxhiu vjen sot pasi u raportua se Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka deklaruar se zyrtari i Qeverisë serbe, Igor Popoviq, e nënshkroi “nën presion, dhe jo me vullnetin e tij të lirë” një marrëveshje me prokurorët e Kosovës për ta pranuar fajësinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Pas një deklarate të tillë të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu tha se Serbia duhet ta kuptojë se Republika e Kosovës është vend demokratik, ku sundon drejtësia dhe dinjititeti njerëzor janë të garantuara e ku pushtetet janë qartësisht të ndara.
“Shteti i Serbisë jo vetëm që keqpërdor vizitat zyrtare në vendin tonë përmes zyrtarëve të saj duke nxitur urrejtje dhe përçarje, por vazhdon propagandën e saj edhe pas marrëveshjeve me institucionet e Republikë Kosovës për pranim të fajësisë si në rastin e Igor Popoviq.
Serbia me kutin e saj gjykon edhe Republikën e Kosovës, por ajo duhet ta kuptojë se Republika e Kosovës është vend demokratik, ku sundon drejtësia dhe dinjiteti njerëzor janë të garantuara e ku pushtetet janë qartësisht të ndara”, shkruan ajo.
Ndryshe, Igor Popoviqi, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë është shpallur fajtor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe urrejtjes etnike.
Gjykata ka caktuar dënimin prej 6 muajsh burgim, i cili u zëvendësua me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe dënim plotësues, dëbim nga Kosova për një periudhë prej dy vjetësh.
Popoviq ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut dhe akuzohet se më 18 korrik 2025 në Rahovec kishte mbajtur një fjalim publik me përmbajtje nxitëse, duke përhapur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike në Kosovë.
Të tjera
Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të hënën
Kosova po fuqizon industrinë e mbrojtjes, duhet anëtarësim në NATO
Kryetari i Zveçanit urdhëron heqjen e fotografisë së Ratko Mlladiqit nga muret e qytetit