Besiana Kadare, vajza e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, ka bërë të ditur se Parisi dje i ka bërë një nderim të denjë babait të saj në qytetin ku ai jetoi dhe krijoi një pjesë të veprës së tij universale.
Ajo tha se Këshilli Bashkiak i Parisit votoi me unanimitet për vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën e tyre.
“Këshilli Bashkiak i Parisit votoi me unanimitet për vendosjen e një pllake përkujtimore në adresën tonë 63 boulevard Saint-Michel 75005, ku lindën disa nga faqet më të ndritura të letërsisë shqipe”.
“Kadare ishte një ndërgjegjje evropiane e farkëtuar në tokën shqiptare. Ai e përshkroi identitetin dhe rrugëtimin e kombit shqiptar si thellësisht evropian shumë përpara se ta njihte Brukseli”, shkroi Besiana.
Tutej, Besiana Kadare u shpreh se ky gjest fisnik i Evropës nderon jo vetëm autorin, Ismailin, por edhe Shqipërinë dhe kontributin e kulturës në ndërtimin e qytetërimit shpirtëror evropian, përtej kufijve të politikës.
“Disa herë janë të tjerët që na kujtojnë më mirë se kush jemi dhe çfarë i kemi dhënë botës. Faleminderit Parisit dhe Francës për këtë përkujtim plot dritë”, shkroi ajo.



Të tjera
Kurti takon Plenkoviqin, theksohet bashkëpunimi dhe mbështetja e Kroacisë për Kosovën
Policia paralajmëron për mashtrime me mesazhe, synohen të dhënat bankare
Prokuroria e Prizrenit siguron urdhëresën për ngrirjen e 42 pronave me vlerë rreth 3 mln euro