Kosova kërkon fitoren ndaj Shqipërisë për të mbetur në garë, publikohet 12-shja zyrtare – Ekonomia Online

Kosova kërkon fitoren ndaj Shqipërisë për të mbetur në garë, publikohet 12-shja zyrtare

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll do të përballet sonte me Shqipërinë në ndeshjen e dytë ndërmjet dy skuadrave në kuadër të Grupit C të parakualifikimeve për FIBA EuroBasket 2029.

Takimi zhvillohet në Prizren me fillim nga ora 19:00, ndërsa një fitore do t’i mbante Dardanët në garë për kualifikim para sfidës së fundit të grupit.

Kosova e fitoi përballjen e parë të zhvilluar në Shkodër me rezultat 99:84, duke regjistruar një fitore të rëndësishme në nisje të kësaj faze kualifikuese.

Pas atij triumfi, përfaqësuesja kosovare u mposht nga Sllovakia, e cila kryeson Grupin C me tri fitore në po aq ndeshje. Sllovakët kanë mposhtur dy herë Shqipërinë dhe një herë Kosovën, duke marrë kreun e grupit.

Në prag të sfidës së sontme është publikuar edhe lista zyrtare e 12 basketbollistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën. Dardanët kanë zhvilluar përgatitjet që nga 17 qershori dhe konsiderohen plotësisht të gatshëm për këtë përballje të rëndësishme.

Nga lista e gjerë prej 15 basketbollistëve, përzgjedhësi ka vendosur për 12-shen finale. Valon Bunjaku mungon për shkak të lëndimit, ndërsa jashtë ekipit kanë mbetur edhe Gëzim Morina dhe Rron Ukaj, të cilët gjithashtu nuk janë në dispozicion për shkak të lëndimeve.

Ndeshjen e fundit të Grupit C, Kosova do ta zhvillojë të dielën, më 5 korrik, në udhëtim te liderja Sllovakia. Megjithatë, vëmendja është e gjitha te sfida e sontme ndaj Shqipërisë, ku fitorja është jetike për të mbajtur gjallë shpresat e Kosovës për vazhdimin e rrugëtimit drejt FIBA EuroBasket 2029.