Juristi Kadri Kryeziu ka komentuar rikthimin e Listës Serbe në komunat e veriut, duke theksuar se këtë herë “kutitë janë kthyer pa flamuj të huaj dhe pa dhunë”.
Ai kujtoi se kriza kishte nisur në nëntor të vitit 2022, kur zyrtarët serbë u tërhoqën vetë nga institucionet e Kosovës për shkak të urdhrave politike nga Beogradi, jo për çështjen e targave.
Sipas Kryeziut, Kosova nuk i dëboi, por mbajti shërbimet dhe organizoi zgjedhje të reja, ndërsa Beogradi reagoi me bojkot dhe dhunë, që kulmoi me sulmin terrorist në Banjskë.
“Tani, qytetarët serbë votuan qetësisht dhe ligjërisht. Normaliteti u kthye përmes kutisë së votimit”, shkroi Kryeziu, duke shtuar se institucionet e Kosovës ruajtën besueshmërinë e shtetit.
Dy vjet pas bojkotit – kutitë janë kthyer, pa flamuj të huaj, pa dhunë.
Lista Serbe është rikthyer në komunat e veriut — por këtë herë, sipas kushteve të Republikës së Kosovës, jo të Serbisë.
Mos harroni: kriza nisi në nëntor 2022, kur zyrtarët serbë u tërhoqën vetë nga policia, gjyqësia dhe komunat – jo për targa, por për urdhra politike që vinin nga Beogradi.
Kosova nuk i dëboi; ata u larguan.
Banjska ishte kulmi – një sulm terrorist që vrau policin Afrim Bunjaku dhe zbuloi rrjete që vepronin nga territori serb.
Gjatë gjithë asaj kohe, një fjali u përsërit pa pushim nga perëndimi:
“Të dyja palët duhet të de-përshkallëzojnë.”
Kjo nuk ishte balancë – ishte barazim mes ligjit dhe shkeljes.
Por Kosova nuk u dorëzua. Nuk u zbraps – as para kërcënimeve, as para shantazheve.
Normaliteti u kthye përmes së njëjtës rrugë që dikur u quajt “eskalim”: përmes kutisë së votimit.
Çdo devijim, çdo zbrapsje para shantazhit të Serbisë do të kishte qenë dorëzim.
Institucionet e Kosovës – sado të brishta – ruajtën mundësinë e kthimit demokratik.
Dhe me të, besueshmërinë e shtetit.
Sot, kur Lista Serbe po rikthehet në komuna, mesazhi duhet të jetë i qartë:
➡️ Ato komuna janë të Republikës së Kosovës.
➡️ Aty vlejnë vetëm ligjet e Kosovës.
➡️ Nuk ka më kthim në anarki institucionale.
➡️ Nuk ka më qeverisje nominale e pa mbikëqyrje.
➡️ Nuk ka heqje të emrit “Republika e Kosovës” nga dokumentet zyrtare.
➡️ Nuk ka heqje të flamurit e stemës së shtetit nga institucionet tona.
Lexojini mirë këto fjalë.
Mbajini mend. 🇽🇰
Të tjera
Arrihet marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së në Vushtrri
Fruti tipik i vjeshtës, të mirat që sjell në organizëm
Armëpushimi në Gaza ende është në fuqi