Sheholli në gjendje të rënduar shëndetësore, dërgohet në QKUK

Fatmir Sheholli është transferuar në gjendje të rënduar shëndetësore nga Qendra Spitalore në Gjilan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në avokati i tij mbrojtës, Mentor Neziri, i cili tha se aktualisht Shehollit po i bëhen ekzaminimet e nevojshme mjekësore.

Sheholli është arrestuar nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të “spiunazhit”, bazuar në nenin 124, paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Sheholli dyshohet se ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë (BIA) dhe ka vepruar nën urdhrat dhe udhëzimet e zyrtarit të BIA-së, Bojan Dimiq.

Në aktakuzë thuhet se ai ka mbledhur informacione mbi pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe i ka përcjellë ato nëpërmjet komunikimeve telefonike te zyrtarët serbë të inteligjencës.