Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar të shtunën liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për të tentuar ta formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme.
Sipas Kushtetutës së vendit, Kurti tani i ka 15 ditë kohë t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.
Por, ai do të ketë punë për t’i gjetur të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për mandatin e tretë në krye të Qeverisë, pasi partia e tij i fitoi 48 ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit.
E në lidhje me atë se si mund të formohet qeveria e re, në një prononcimi për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.
Sipas tij, ndonëse nuk ka sinjal nga LVV që është duke bërë marrëveshje me ndonjërën parti, LDK po jep ‘shpresë’ se mund edhe të bëj një koalicion me partinë fituese të 9 shkurtit.
“Zgjedhjet komunale, dëshmuan se mosbashkëpunimi i vazhdueshëm i partive politike shqiptare, ka frustruar aq shumë qytetarët e vendit, sa që edhe në votimet lokale, të merrnin pjesë vetëm një numër simbolik i tyre, ku përveç pjesëmarrjes së ulët prej vetëm rreth 39.5 për qind, që në fakt, është edhe më e ulët sesa në zgjedhjet lokale të vitit 2021, sovrani votoi në atë mënyrë, që në shumicën e komunave të vendit, fituesi të vendoset në balotazh, prandaj mënyra e zhvillimit të garës së partive politike, është pothuajse e sigurt, se do të ndikojë edhe në negociatat për formimin e qeverisë së re, të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
Po ashtu, Qarri vlerësoi lartë mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale dhe për këtë ai shpreson se ato do ndikojnë te partitë politike për një përafrim të mundshëm në nivel qendror për formim të qeverisë së re.
“Shto kësaj faktin se me parti të vogla si Nisma, e cila kishte pretendime më të mëdha se sa vet fuqia e saj politike, negociatat nuk rezultuan të suksesshme, e vetmja mundësi dhe zgjidhja më e mirë, e cila do ta mundësonte edhe garantimin e votave të mjaftueshme për rivotimin apo zgjedhjen e Presidentit/tes të shtetit, në muajin prill të vitit të ardhshëm, mbetet LDK, ndaj pas votimit të përbashkët për Nenad Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit nga pakica serbe, unë besojë, se këto dy parti, ndoshta edhe nën insistimin e faktorit të jashtëm, nëse nuk kanë arritur deri tash marrëveshje, ndërkohë janë duke biseduar prapa kulisave, për mundësinë e formimit të një qeverie të qëndrueshme e stabile, të cilën, pas më tepër se 8 muajve nga zgjedhjet e 9 shkurtit, e ka të domosdoshme dhe mese të nevojshme Republika e Kosovës”.
Ndër të tjera, analisti shtoi se, në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje mes LVV dhe ndonjë partie opozitare shqiptare, atëherë vendi duhet të shkoj sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Të tjera
Hetimet për vrasjen e zyrtarit të EULEX-it në 2013, bastisje të reja në veri të Kosovës
Samiti i Berlinit mbahet këtë vit në Londër – liderët pritet të diskutojnë për integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal
Ekspertët: Zgjedhjet e shpeshta ndikojnë në paqëndrueshmërinë politike dhe ekonomike të vendit