Pas më shumë se dy dekadash qeverisje nën Lidhjen Demokratike të Kosovës, komuna e Fushë-Kosovës ka përjetuar një ndryshim të madh politik.
Në balotazhin e zgjedhjeve lokale, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Prebreza, ka fituar përballë kandidatit të LDK-së, Besnik Osmani, duke shënuar një përmbysje të paprecedentë në historinë elektorale të kësaj komune.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në të gjitha 59 vendvotimet, Prebreza ka fituar 54.99% të votave, përkatësisht 10.583 vota, ndërsa Osmani i LDK-së ka marrë 45.01% ose 8.664 vota.
Fitorja e Prebrezës shënon herën e parë që LDK humb drejtimin e Fushë-Kosovës, komunë që historikisht është konsideruar si një prej bastioneve të saj më të sigurta.
Kandidati fitues, Valon Prebreza, pas shpalljes së rezultateve, u ka falënderuar qytetarëve të Fushë-Kosovës për besimin, duke premtuar “një qeverisje me integritet, punë konkrete dhe transparencë për të gjithë”.
Nga ana tjetër, për LDK-në, humbja në këtë komunë përbën një goditje simbolike në një prej zonave ku për vite të tëra partia ka pasur strukturë të fortë dhe besim të qëndrueshëm elektoral.
Analistët politikë e konsiderojnë këtë rezultat si një nga fitoret më të rëndësishme të Vetëvendosjes në këto zgjedhje, krahas asaj në Mitrovicë, pasi tregon zgjerimin e saj gradual në qendra që më parë nuk ishin pjesë e ndikimit të saj lokal.



Të tjera
Izr@eli kthen trupat e 15 palestinezëve të tjerë në G@za
Efektet kurative të ullirit
KQZ tregon ditën e shpalljes së rezultateve përfundimtare për balotazh