Kurti në IKKL: Këtu gjendet arkiva e gje*nocidit të Serbisë dhe dokumentimi gjigand i spastrimit etnik

Këtu gjendet arkiva e gje*nocidit të Serbisë dhe dokumentimi gjigand i spastrimit etnik

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi të hënën Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, ku u prit nga drejtori ekzekutiv, Atdhe Hetemi.

Gjatë vizitës, Kurti vlerësoi punën e institutit në dokumentimin e krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut, duke theksuar se roli i arkivave është thelbësor për kujtesën kolektive dhe zbardhjen e së vërtetës historike.

“E falënderoj drejtorin Atdhe Hetemin për mikpritjen dhe për raportin e tij të vitit të dytë. Është mbresëlënëse sa shumë angazhim ka ky institut. Kur kam ardhur para një viti, me rastin e vitit të parë të punës, kanë qenë 23 të punësuar, tashmë janë 39. Pamë nga afër arkivat dhe zyrat që punojnë në të gjitha aspektet, të cilat janë jetike për ardhmërinë e Kosovës. Ky institut është vendimtar për kujtesën kolektive dhe për zbardhjen e plotë të së vërtetës historike. Nga 67 burime tashmë kanë 650 nga 14 shtete – një punë gjigande që po bëhet”, tha Kurti.

Ai shtoi se në këtë institut mund të gjenden dokumentime të rëndësishme mbi gjenocidin e Serbisë, spastrimin etnik, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe dëmet e shkaktuara ndaj njerëzve, ekonomisë dhe trashëgimisë kulturore.

Nga ana tjetër, drejtori i institutit, Atdhe Hetemi, deklaroi se prezantimi i sotëm nuk ishte vetëm raport pune, por edhe pasqyrë e progresit në fushën e kujtesës kolektive dhe dokumentimit të krimeve të luftës./KosovaNews