Osmani reagon për serbin e rrëmbyer në territorin e Kosovës!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Millan Vukashinoviq që u plagos e u rrëmbye më një nëntor brenda territorit të Kosovës është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe se për ta parë atë nuk është lejuar ambasadori i Kosovës në Beograd, raporton EO. Osmani këtë e ka quajtur krim dhe provokim të rëndë që Serbia ka bërë duke theksuar se ky është një tentim për vrasje.

Po, siç e dini edhe sipas të dhënave kadastrale, ajo është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës. Sa i përket hetimit që po e bëjnë institucionet tona në bashkëpunim me institucionet e sigurisë së shteteve aleate, ne ende po presim konkluzionin final. Megjithatë, sa i përket informatave të deritanishme që kemi nga institucionet e sigurisë, është se ka qenë brenda territorit të Kosovës. Por përtej kësaj, përtej çështjes se ku ka ndodhur, pavarësisht se ku të ketë ndodhur kjo, prapëseprapë është krim dhe provokim i rëndë, dhe është tentim vrasjeje i institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës së Kosovës. Pra, nëse edhe kjo të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë,  gjë që nuk është e vërtetë,  por edhe sikur të kishte ndodhur, përsëri është provokim i rëndë në kundërshtim me synimet për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë, gjë që Serbia vazhdimisht e rrezikon”, tha ajo para mediave.

Ajo ka treguar se është në komunikim me shtetet e QUINT-it dhe përfaqësues të tjerë në lidhje me këtë rast.

“Si presidente, që nga dita e parë, vazhdimisht jam në komunikim me përfaqësues të shteteve të QUINT-it, por edhe përfaqësues të tjerë lidhur me këtë që ka ndodhur dhe me këtë shkelje të rëndë nga ana e Serbisë. Po ashtu, përfaqësuesi ynë në Beograd, ambasadori Jashari, ka tentuar ta vizitojë disa herë të plagosurin, mirëpo nuk është lejuar nga ana e spitalit. Informatat që kemi janë se ai është në gjendje të rëndë shëndetësore. Institucionet tona janë në komunikim edhe me familjarët e të plagosurit, qytetarit tonë, dhe po ashtu me gjithë dëshmitarët që e kanë parë ngjarjen dhe çfarë ka ndodhur”, deklaroi e para e shtetit.