Policia e Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj pretendimeve të autoriteteve dhe mediave shtetërore serbe, sipas të cilave shqiptarët kanë hapur zjarr ndaj ushtrisë serbe, duke i cilësuar ato si të pabazuara, të pasakta dhe pjesë e një fushate dezinformuese që synon krijimin e tensioneve të panevojshme në zonën kufitare.
Reagimi i forcave kosovare të rendit vjen pas raportimeve të Serbisë se gjoja një “grup i armatosur shqiptarësh ka hapur zjarr ndaj pjesëtarëve të ushtrisë serbe” pranë bazës së ashtuquajtur “Debela Glava”.
Policia e Kosovës thekson se një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur, dhe se pretendimet nuk përputhen me asnjë informacion zyrtar apo incident të verifikuar nga autoritetet e rendit në territorin e Republikës së Kosovës.
“Sipas të gjitha të dhënave operative, raportimeve nga njësitë policore dhe koordinimit me institucionet kompetente, nuk është regjistruar asnjë incident i natyrës së pretenduar. Policia u bën thirrje autoriteteve serbe të ndalojnë përhapjen e informacioneve të rreme, të cilat vetëm sa dëmtojnë sigurinë publike dhe krijojnë perceptime të rreme në opinion”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.
Po ashtu, Policia siguron qytetarët se situata në zonën kufitare mbetet e qetë, stabile dhe plotësisht nën kontroll, duke theksuar se institucionet e sigurisë vazhdojnë të jenë të angazhuara për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në çdo pjesë të territorit të vendit.
“Policia e Republikës së Kosovës u bën thirrje mediave që të referohen vetëm te burimet e verifikuara dhe të shmangin publikimin e informacionit të pakonfirmuar, i cili mund të ndikojë negativisht në rendin dhe sigurinë publike. Policia mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë së përgjithshme, zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e rendit publik për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi.
Ndryshe, sipas Ushtrisë Serbe, baza ushtarake “Debela Glava” ndodhet në fshatin Zarbincë të komunës së Bujanocit.



Të tjera
Ushtria Serbe frikësohej nga UÇK-ja
Formimi i komisioneve parlamentare është urgjencë për Kosovën
Clark kishte kërkuar forca jo-franceze në veri të Kosovës “që shqiptarët të mund të jetonin atje”