Kusari thirrje deputetëve për seancën e nesërme: Qytetarët presin zgjidhje, jo pengesa

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari ka bërë thirrje për mbështetje të gjerë në Kuvend për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe agjendës parlamentare të ditës së nesërme.

Sipas Kusarit, Grupi Parlamentar i LVV-së ka dorëzuar një kërkesë me 40 nënshkrime për seancën e parë të ditës së nesërme, ku do të shqyrtohen 9 pika, përfshirë pesë marrëveshje ndërkombëtare.

Ajo paralajmëron se mosmiratimi i tyre mund të shtyjë financime prej 1 miliardë euro, përfshirë 290 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian.

“Afati për miratimin e Planit të Rritjes nga Bashkimi Evropian është dhjetori 2025. Nëse kjo marrëveshje nuk miratohet deri atëherë, rrezikojmë të humbim 10% të vlerës totale prej 880 milionë euro, pra rreth 88 milionë euro”, tha Kusari.

Kusari bëri thirrje për bashkëpunim ndërpartiak.

“Marrëveshjet ndërkombëtare nuk i takojnë asnjë partie apo qeverie, ato janë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Për ta arritur këtë sukses, na duhet mirëkuptimi dhe mbështetja e të gjitha grupeve parlamentare”, u shpreh deputetja e Kuvendit të Kosovës.

Ajo gjithashtu potencoi nevojën për formimin e katër komisioneve të përhershme parlamentare, secila me numër të barabartë anëtarësh nga pozita dhe opozita, 5 nga secila palë.

“Duke qenë të vetëdijshëm se zgjedhjet janë zgjidhja më stabile për ngërçin aktual, duhet të jemi mendjehapur dhe të mos e rëndojmë stabilitetin financiar. Buxheti i vitit 2026 është përfshirë në agjendë dhe propozim për votim”, tha Kusari.

“Nesër e kemi mundësinë të lehtësojmë edhe barrën e 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, si dhe të gjejmë zgjidhje për buxhetin e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut. T’i miratojmë pikat e rendit të ditës dhe t’u ofrojmë qytetarëve qetësinë që u nevojitet”, ka shkruar Kusari.