Ndërsa procesi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian shihet gjithnjë e më shumë si i bllokuar dhe pa rezultate konkrete, në Uashington po shfaqen sinjale për një rifokusim amerikan në Ballkanin Perëndimor.
Përfshirja e Kosovës dhe Serbisë në dokumentin e Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së konsiderohet një përpjekje e drejtpërdrejtë e Kongresit amerikan për të ushtruar presion politik ndaj dy vendeve, me synimin që dialogu të dalë nga ngërçi aktual dhe të avancojë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Sipas ish-zyrtarit të lartë amerikan Charles Kupchan, ky dokument sinjalizon rritje të shqetësimit në Uashington për stabilitetin e rajonit dhe një përpjekje për ta shtyrë administratën Trump që të angazhohet më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, proces që presidenti amerikan do të dëshironte ta shndërronte në një nga arritjet kryesore të politikës së tij të jashtme.
“Në Kongres, si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat, ka shumë ligjvënës që e njohin mirë Ballkanin. Prandaj kemi një draft të hartuar posaçërisht për këtë rajon. Ndryshe nga administrata Biden, administrata Trump nuk ka qenë e fokusuar në sigurinë evropiane, dhe ky është një përpjekje e Kongresit për ta shtyrë Shtëpinë e Bardhë – përfshirë edhe sekretarin Rubio – që ta marrë seriozisht këtë axhendë”, thekson ai.
Azemi: Kosova në orbitën e doktrinës Trump
Si fillim, ai tha se me zhvillimet e fundit gjeopolitike, bota po hyn në një epokë të re.
Ai vlerëson se tani presidenti Trump do i diktoj disa rregulla të lojës, megjithëse nuk beson se Kosova do jetë në agjendën e tij në muajt në vijim.
Krahas kësaj, Azemi nuk përjashtoi mundësinë që të ketë zhvillime të tjera e të cilat natyrshëm do nxisnin edhe ndryshime në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Sa i përket dialogut mes palëve, ai konsideron se Kosova është në një pozicion më të mirë, duke përmend edhe pozitën e keqe të Vuçiqt në sytë e BE-së dhe SHBA-së, pas arrestimit të Maduros.
Kur flasim për dialogun Kosovë-Serbi dhe mundësinë e “ringjalljes” së tij, siç e thuani ju, duhet pasur parasysh të gjitha këto rrethana të sipërpërmendura. Nëse deri dje BE-ja ishte nxitëse dhe formatuese e dialogut Kosovë-Serbi, sot kur po flasim për këtë temë, gjërat kanë filluar të zhvendosen dhe të shikohen në një prizëm tjetër. Vuçiqi, përfundimisht, nuk është më ai “qengji i butë” i Perendimit, për faktin se ai nuk mundi t’i fesh “brirët” që i dolën pas kapjes së Maduros, ku dolën në shesh lidhjet që kishin patur në mes veti këta dy personazhe me ambicje të përbashkëta mafioze-antimaerikane. Pra, tani lirisht mund të flasim për raporte të ftohura në mes të Vuçiqit dhe Uashingtonit dhe për distancim të butë të Brukselit ndaj regjimit të Beogradit. Për rrjedhojë, pozita e Kosovës në këtë konfigurim të ri situatash, nuk qëndron keq, aq më tepër që shteti i Kosovës viteve të fundit ka dëshmuar në praktikë se është i aftë të mbrohet nga diversienet serbo-ruse mbi sovranitetin e saj”, shtjelloi ai.

Ndër të tjera, publicisti shtoi se, Trump nuk do rri duarkryq ndaj zhvillimeve në Ballkan, derisa nënvizoi se interesat afatgjate të Kosovës do të jenë ngushtësisht të lidhura me ligjin e miratuar së fundi në Kongres.
Nimani: Një përfshirje më aktive e SHBA-së mund ta rrisë kredibilitetin e procesit të dialogut
Kurse, Artan Nimani vlerëson se përfshirja e Kosovës në ligjin e ri të SHBA-së, nuk është rastësore.
Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi, për politikën amerikane është i një rëndësie të veçantë.
“Përfshirja e Kosovës në dokumente strategjike si Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së nuk është rastësore dhe as simbolike. Ajo tregon se Uashingtoni vazhdon ta shohë Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht raportin Kosovë–Serbi, si çështje me ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin euroatlantik. Në këtë kuptim, vlerësimi i z. Kupchan për një “presion konstruktiv” është realist: SHBA synon të shtyjë palët drejt përgjegjësisë politike, funksionalitetit institucional dhe rikthimit të dialogut në një fazë më serioze”.

Krahas kësaj, Nimani u shpreh se ka gjasa që të “ringjallet” dialogu mes dy palëve, nëse SHBA ka një përfshirje më të madhe.
“Sa i përket mundësisë së “ringjalljes” së dialogut gjatë këtij viti, ajo ekziston, por nuk është automatike. Një përfshirje më aktive e SHBA-së mund ta rrisë kredibilitetin e procesit, veçanërisht në një moment kur BE-ja perceptohet si e fragmentuar, me mungesë të qartësisë strategjike dhe instrumenteve efektive të presionit. Megjithatë, dialogu nuk mund të ecë përpara pa stabilitet politik të brendshëm, vullnet real për kompromis dhe koordinim të ngushtë transatlantil”, nënvizoi ai.
Në vazhdim, foli edhe për mundësinë e një marrëveshje finale mes Kosovës e Serbisë, derisa përmendi disa pika kyçe që ajo duhet të përmbajë.
“Në lidhje me një marrëveshje finale me njohje reciproke, kjo mbetet objektivi strategjik më i drejtë dhe më i qëndrueshëm për Kosovën, por edhe më i vështiri për t’u arritur. SHBA-ja mund të luajë rol kyç si garantuese politike dhe sigurie, por marrëveshja nuk mund të imponohet. Ajo duhet të ndërtohet mbi parime të qarta: sovranitetin e Kosovës, funksionalitetin e shtetit dhe integrimin euroatlantik të rajonit. Pa këto elemente, çdo marrëveshje do të ishte e përkohshme dhe e brishtë”.
Në fund, Nimani shtoi se, “nuk kemi të bëjmë me dështim total të BE-së, por me nevojën për një fazë të re ku SHBA dhe BE veprojnë së bashku, me role të qarta. Vetëm një qasje e tillë mund ta nxjerrë dialogun nga stagnimi aktual dhe ta orientojë drejt një zgjidhjeje përfundimtare”.



Të tjera
Vuçiq po e fut Serbinë në konflikte globale, duke akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për ngjarjet në Iran
Nesër pritet të ekzekutohen pagesat për këta qytetarë
Në stinën e verës, 7 ide për takimin e parë…