Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dënoi të martën veprimin e forcave izraelite për të shkatërruar strukturat brenda selisë së agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu.
“Sekretari i Përgjithshëm e dënon me fjalët më të forta veprimin e autoriteteve izraelite për të shkatërruar kompleksin e UNRWA-s në Sheikh Jarrah” tha zëdhënësi i Guterres, Farhan Haq, gjatë një konference për media.
Duke cituar paprekshmërinë dhe imunitetin e ambientëve të OKB-së, Haq shtoi: “Sekretari i Përgjithshëm i sheh si plotësisht të papranueshme veprimet e vazhdueshme përshkallëzuese ndaj UNRWA-s, të cilat janë në kundërshtim me detyrimet e qarta të Izraelit sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Konventën mbi Privilegjet dhe Imunitetet e OKB-së”.
“Sekretari i Përgjithshëm i bën thirrje Qeverisë së Izraelit të ndalojë menjëherë shkatërrimin e kompleksit të UNRWA-s në Sheikh Jarrah dhe të kthejë dhe rivendosë kompleksin dhe ambientet e tjera të UNRWA-s nën administrimin e OKB-së pa vonesë” shtoi ai.
Muajin e kaluar, parlamenti izraelit (Knesset) miratoi një ligj për të ndaluar furnizimin me ujë dhe energji elektrike për ambientet e UNRWA-s në Kudsin Lindor.
Izraeli ka ndërmarrë më parë veprime të ngjashme ndaj UNRWA-s. Në vitin 2024, Knesset miratoi ligj që ndalon aktivitetet e agjencisë së OKB-së në Izrael, duke pretenduar se disa punonjës të UNRWA-s ishin përfshirë në ngjarjet e 7 tetorit 2023, pretendime që agjencia i ka mohuar. OKB-ja ka theksuar se UNRWA respekton standarde strikte të neutralitetit.



Të tjera
Nëse vuani nga anemia konsumoni këto ushqime
IKSHPK njofton për zonat ku uji nuk rekomandohet për pije
KEK rikthen në operim Njësinë B2, forcohet stabiliteti i sistemit energjetik