Pas përfundimit të protestës së kësaj të shtune, Policia e Shtetit bëri me dije se 11 efektivë kishin mbetur të lënduar dhe ishin duke marrë mjekimin e nevojshëm në spital.
Mirëpo Partia Demokratike ka reaguar përmes një komunikate për mediat, ku e hedh poshtë këtë informacion.
“Partia Demokratike i konsideron mashtrime dhe të pabaza pretendimet e zëdhënësve të narkopolicisë se janë plagosur 12 efektivë policie.
Sipas informacioneve tona të grumbulluara në mënyrë operative në të gjitha spitalet e kryeqytetit, asnjë efektiv policie nuk është paraqitur për ndihmë të parë.
Përpjekja për të ngjyrosur me dhunë një protestë masive kundër narkoregjimit, nuk është gjë tjetër veçse frika e Ramës dhe shërbëtorëve të tij se zhvillimet politike në Shqipëri kanë arritur në ‘kilometrin e fundit’.”, thuhet në njoftimin për mediat.
Përkundrazi, sipas Partisë Demokratike nga protesta e sotme ata që kanë mbetur të lënduar ishin protestuesit.
“Partia Demokratike thekson se, jo vetëm nuk ka policë të plagosur, por ka dhjetëra protestues të lënduar dhe dhjetra të tjerë të arrestuar, shpesh në mënyrë të paligjshme nga patronazhistë të qeverisë, njerëz pa uniformë dhe pa simbolet e policisë. Çdo tejkalim i ligjit do të merret shënim dhe çdo abuzues do të mbajë përgjegjësi të plota.
Partia Demokratike falenderon edhe njëherë të gjithë mbështetësit dhe protestuesit, dhe siguron të ndaluarit dhe familjarët e tyre, se ata do të marrin çdo ndihmë ligjore dhe mbështetje. Ky është fillimi i fundit për narkoregjimin dhe narkopolicinë. Tërbimi i demonstruar sonte me përdorim gazrash helmuese dhe dhune të shpërpjestuar është dëshmi e kësaj.”, përfundon reagimi i selisë blu.
Ky reagim vjen pasi më herët, Policia informoi se si pasojë e sulmeve me molotov dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe para Parlamentit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie.
Shërbimet e Policisë njoftuan se kanë identifikuar personat që sulmuan Policinë dhe vijon puna për shoqërimin e tyre.



Të tjera
3 arsye të forta përse duhet të hani më shumë arra
Truket për të larë xhaketat e palltot në shtëpi duke kursyer para
Tri shenja që trupi po lufton me aneminë e rrezikshme