Platforma “Liria ka Emër” ka vazhduar sot fushatën e takimeve dhe mobilizimit qytetar për Marshin e 17 shkurtit “Drejtësi, jo politikë”.
Përfaqësuesi i kësaj platforme, Ismail Tasholli, ka vizituar Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës, ku ka marrë përkrahje të parezervë nga kjo kategori.
Tasholli theksoi se mbështetja e tyre është një dëshmi e fuqishme e vlerave të lirisë dhe sakrificës.
“E falënderojmë kryetarin e shoqatës për mbështetjen që po na e jep. Jemi në shtëpinë e dinjitetit, krenarisë dhe idealit të shtetndërtimit të Kosovës”, shtoi Tasholli.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shefik Sadiku ka thënë se kjo shoqatë solidarizohet me çlirimtarët, të cilët po mbahen dhe po gjykohen padrejtësisht për më shumë se pesë vite në Hagë.
“Solidarizohemi sepse janë pjesë e të kaluarës sonë çlirimtare. Jakup Krasniqi si ish-i burgosur politik në fillim të viteve të 80-ta, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, që ishin bashkërisht me Jakupin pjesë e shtabit të UÇK-së, gjithnjë në fushën politike dhe luftarake, të cilët nuk i kanë ikur kurrë përgjegjësisë. Çështja është që ata ta dëshmojnë dhe argumentojnë se UÇK ka qenë ushtri çlirimtare, assesi siç akuzohet”, ka thënë Sadiku.
Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë Kosovën, për mobilizim sa më të gjerë qytetar për pjesëmarrje masive në Marshin e 17 shkurtit, i cili do të mbahet në Prishtinë nën moton “Drejtësi, jo politikë”.



Të tjera
Osmani ia dorëzon flamurin e Kosovës skiatorëve Kryeziu e Kokaj: E lartësofshi në Lojërat Olimpike
Aktgjykimi i Kushtetueses, Limaj: E kam thënë, presidentja dha mandatar pas një akti antikushtetues
Macron konfirmon se do të dërgohen më shumë gjeneratorë në Ukrainë pas sulmeve të fundit