Prokurorja Pula: Të gjithë kandidatëve për deputet që u janë shtuar votat do të jenë subjekt i hetimit

Të gjithë kandidatëve për deputet që u janë shtuar votat do të jenë subjekt i hetimit

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula, ka deklaruar se të gjithë kandidatët deputetë të cilëve iu janë shtuar votat do të jenë objekt i hetimeve, pavarësisht pozitës apo cilësisë që ata kanë. Këto deklarata ajo i bëri gjatë konferencës së përbashkët me kryeprokurorin e Prokurorisë së Gjakovës, pas aksionit të zhvilluar në Malishevë që lidhej me falsifikimin e rezultateve zgjedhore.

E pyetur se çfarë do të ndodhë me kandidatët deputetë të përfshirë në rastin e manipulimit të votave, Pula theksoi se hetimet do të zhvillohen pa dallim, duke u bazuar në prova dhe deklarime konkrete.

“Së pari, kandidatët që iu janë shtuar votat do të jenë objekt i hetimeve pavarësisht cilësisë që do ta trajtojmë fillimisht. Kjo varet nga intervistat që na vijnë dhe nga deklarimet e komisionerëve dhe kryesuesve, sepse duhet të sigurojmë prova që vërtet ka pasur shtytje nga një deputet, në çfarëdo mënyre, për t’ia shtuar votat dhe mënyrën se si janë shtuar ato,” tha Pula.

Ajo shtoi se shtimi i votave për një kandidat me qëllim që ai të bëhet deputet nuk ndodh rastësisht, por është veprim i qëllimshëm dhe me porosi të posaçme.

“Mënyra e shtimit të votave të një kandidati për t’u bërë deputet bëhet me dashje dhe me porosi të posaçme. Se si është bërë dhe në çfarë mënyre, kjo mbetet të zbardhet nga hetimet, qoftë përmes kamerave apo bashkëpunimeve të ndryshme, në mënyrë që të vazhdojmë më tutje,” theksoi ajo.

Pula ritheksoi se askush nuk do të amnistohet, pavarësisht funksionit që mban, por se çdo veprim do të bazohet në prova të forta për të shmangur padrejtësitë.

“Një gjë e di me siguri: nuk do të amnistohet asnjë person, pavarësisht funksionit që ka. Por duhet të kemi prova të mjaftueshme, në mënyrë që të mos i hyjmë askujt në hak. Roli i prokurorit është të sigurojë prova relevante, të mbështetura në ligj dhe të pranueshme për gjykatën,” deklaroi ajo.

Në fund, Pula theksoi se bëhet fjalë për një hetim të thellë dhe të ndërlikuar, sidomos për shkak të përfshirjes së palëve të treta në këtë proces, duke kërkuar durim nga opinioni publik.

“Besoni se është një hetim i mirëfilltë dhe i komplikuar, veçanërisht kur kemi të bëjmë me prona të tretë që involvohen në këtë proces. Prandaj duhet pak më shumë durim për të arritur te qëllimi kryesor,” përfundoi ajo.