Basha: Nuk na nevojitet marrëveshje për një të drejtë kushtetuese

Vendimi i Kushtetueses për Rashiqin, në kundërshtim me Kushtetutën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se zgjedhja e Nenad Rashiqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit ka qenë antikushtetuese. Ai e ka cilësuar këtë vendim me gabime thelbësore dhe në shpërputhje me Kushtetutën, përcjell KosovaPost.

Në reagimin e tij, Basha ka theksuar se aktgjykimi bie ndesh me Kushtetutën dhe përmban, sipas tij, interpretime të gabuara të Rregullores së Kuvendit, duke shtuar se Gjykata ka tejkaluar kompetencat e saj.

“Më herët pranova Njoftimin për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO325/25, dhe vlerësoj se i njejti është në shpërputhje me Kushtetutën (67.4) dhe përmban gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse”, ka shkruar Basha në Facebook.

Ai ka shtuar se Gjykata Kushtetuese “nuk ka mandat për t’i dhënë interpretime Rregullores së Kuvendit, sepse Rregullorja e Kuvendit është mëse e qartë, ku në nenin 16, paragrafin 4, shprehet tekstualisht se është Kryetari i Kuvendit ai i cili ‘bën interpretimin përfundimtar të saj gjatë seancës plenare”.

“Gjykata në rastin e sotëm nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka intepretuar frymën e Rregullores së Kuvendit, për të cilën nuk ka mandat”, ka shkruar Basha.

Ai ka komentuar gjithashtu pjesën ku Gjykata thekson se “z. Nenad Rashiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb”.

Basha ka theksuar se kjo në fakt “vetë e vërteton se shumica e deputetëve nga komuniteti serb nuk e kanë propozuar z. Rashiq pra kemi pasur të bëjmë me refuzim, apo ndryshe thënë mospropozim nga ana e tyre”.

Sipas Bashës, pas refuzimit për tri herë radhazi të propozimit të kandidatit Rashiq nga shumica serbe, ai ka aktivizuar procedurën e shortit sipas nenit 12, paragrafi 7 të Rregullores, duke sqaruar se “Në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6 të këtij neni, propozimi i kandidatëve bëhet me short… Kjo procedurë administrohet nga Kryetari i Kuvendit”.

Basha ka theksuar se votimi për kandidatin Rashiq u krye sipas Rregullores dhe Kushtetutës, duke shkruar se “deputeti Nenad Rashiq u zgjodh Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e komunitetit joshumicë serb, duke u zbatuar në përpikëri Rregullorja e Kuvendit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese”.

Basha ka theksuar se “të gjitha pretendimet në Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese janë të pabaza, dhe Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e deputetit Nenad Rashiq në pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit ka qenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës,” ka shkruar Basha.