Kryetarja e Partisë së Re Demokratike, Emilja Rexhepi, ka paralajmëruar se do të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare, pasi ankesa e saj është refuzuar nga Gjykata Supreme.
Në një postim në Facebook, Rexhepi ka deklaruar se Supremja i ka refuzuar ankesat e paraqitura pa ofruar asnjë arsyetim juridik apo serioz.
“Supremja i ka refuzuar ankesat pa asnjë arsyetim serioz e juridik,” tha Rexhepi. Ajo theksoi se vendet e rezervuara për komunitetin boshnjak në Kuvend po shndërrohen në “poligon manipulimi”, dhe jo në mekanizma mbrojtës për komunitetet jo shumicë.
Rexhepi theksoi se këto vende janë paraparë për të mundësuar që komunitetet që nuk janë shumicë të kenë përfaqësues autentikë: “Vendet e rezervuara, përkatësisht të garantuara, ekzistojnë pikërisht që komunitetet që nuk janë shumicë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre autentikë. Çdo veprim i kundërt përbën abuzim të rëndë të sistemit dhe anulim të drejtpërdrejtë të qëllimit kushtetues të mandateve të rezervuara,” ka shkruar ajo.
Rexhepi gjithashtu ka kritikuar Gjykatën Supreme për injorimin e dispozitave të Kushtetutës që garantojnë përfaqësimin politik dhe mbrojtjen institucionale për komunitetet jo shumicë: “Injorimi i këtyre dispozitave nga gjyqtarët e Gjykatës Supreme përbën një goditje të vetëdijshme ndaj rendit kushtetues.”
Ajo ka akuzuar koalicionin “Vakat” për manipulim të votave dhe devijim të organizuar të procesit zgjedhor. Sipas Rexhepit, në zgjedhjet e fundit ka pasur abuzime të ndryshme, duke përmendur rastin e fshatit Velezh në Prizren, ku nuk ka popullsi boshnjake, por ku koalicioni Vakat ka marrë vota, si dhe kandidatin Bahrim Sabani që ka fituar 86 vota në këtë fshat.
“Koalicioni Vakat ka marrë vota në fshatin Velezh (komuna e Prizrenit), ku nuk jeton asnjë boshnjak, ndërsa kandidati Bahrim Sabani ka marrë 86 vota dhe me këto vota ka krijuar përparësi brenda komunitetit boshnjak.”
Për më tepër, Rexhepi ka theksuar edhe manipulimet me partitë e tjera, si Partia Serbe SPO, që ka marrë vota në fshatra boshnjake ku nuk ka popullsi serbe.
“Partia serbe SPO merr vota në fshatra boshnjake ku nuk ka serbë. Kjo nuk është proces politik – kjo është devijim i organizuar i votave dhe manipulim i hapur me mandatet e rezervuara,” ka përfunduar Rexhepi



Të tjera
Mbappé më i miri në botë, mund t’i arrijë shifrat “e paarritshme” të Ronaldos
Konjufca: Shpresoj që nesër të formohet Qeveria
i kalon yjet si Messi e Mbappé