Kurti: Duhet marrëveshje me opozitën për presidentin, jo zgjedhje të reja

Duhet marrëveshje me opozitën për presidentin, jo zgjedhje të reja

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se arritja e një marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit është e domosdoshme. Sipas tij, vendit nuk i duhen edhe një palë zgjedhje të reja.

 

“Presidentja e Republikës është kreu i shtetit, ku unë jam kryeministri i vendit. Kemi një çështje që ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërkaq theksi duhet të vihet te fakti që vitin e kaluar kemi pasur 4 palë zgjedhje. Jam i bindur që s’duhet ta përsërisim. Viti 2026 është vit i ri, nuk është as e drejtë as e dobishme të kemi zgjedhje të përsëritura. Andaj është e domosdoshme të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit”, tha Kurti.

Ai tha se qytetarëve nuk iu duhet zgjedhjet por stabilitet institucional.

“Mbi 120 milionë euro të marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare na janë vonuar për shkak se nuk punonte Kuvendi. Në anën tjetër zgjedhjet e reja do të kushtonin së paku 10 milionë euro. Nuk bëhet fjalë se kush e ka shumicën dërrmuese, LVV ka fituar me 51.1%. Çështja është te korumi prej 80 deputetëve dhe nuk besoj se na duhen zgjedhjet e reja për të pasur garë se a po i bëjmë 80 deputetë”, përfundoi ai.