“Drejtësia e prekshme për qytetarët” – Gërvalla viziton Zyrën për Ndihmë Juridike Falas në Gjilan

“Drejtësia e prekshme për qytetarët” – Gërvalla viziton Zyrën për Ndihmë Juridike Falas në Gjilan

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, sot ka vizituar Zyrën Rajonale për Ndihmë Juridike Falas (ZRNJF) në Gjilan.

“Ndihma juridike falas mbetet një ndër shtyllat më të rëndësishme për garantimin e barazisë para ligjit, përmes mbështetjes që u ofrohet qytetarëve që përballen kryesisht me sfida shoqërore, ekonomike dhe ligjore”, tha Ministrja duke e vlerësuar si një ndër mekanizmat kyç për sigurimin dhe garantimin e qasjes së barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët.

Gjatë vizitës, Ministrja Gërvalla u njoftua nga afër me përkushtimin e profesionistëve, puna e të cilëve kthen të drejtën nga një parim abstrakt në një shërbim konkret për qytetarët e Republikës sonë, duke e bërë kështu drejtësinë e prekshme për ata që kanë më së shumti nevojë për të.

Po ashtu, Ministrja pa edhe funksionalizimin e zyrës mobile, si një zgjerim i drejtpërdrejtë i shërbimeve të ndihmës juridike falas. Kjo qasje, sipas Ministres Gërvalla, mundëson që drejtësia të mos mbetet e kufizuar në hapësira institucionale, por të shtrihet aty ku ndodhen qytetarët, duke adresuar në mënyrë konkrete pengesat në qasje.

“Qasja në drejtësi nuk është vetëm standard institucional, por detyrim i drejtpërdrejtë ndaj çdo qytetari. Për këtë arsye, forcimi i këtij sistemi mbetet prioritet i pandashëm në funksion të një shteti të së drejtës që vepron dhe shërben për të gjithë njësoj”, përmbylli Ministrja Gërvalla.