Perez sqaron për herë të parë të vërtetën mbi shkarkimin e Xabi Alonsos

Në një intervistë pasuese pas konferencës së tij për shtyp që la shumë përshtypje, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, foli për largimin e bujshëm të Xabi Alonsos.

Pavarësisht se aventura e shkurtër gjashtëmujore e Xabi Alonsos te Real Madridi përfundoi në janar, Perezthotë se nuk pendohet për afrimin e mesfushorit bask.

“Nënshkrimi i tij nuk ishte gabim. Nuk patëm përgatitje në parasezon. Kur luan vazhdimisht të mërkurave dhe të dielave pa atë bazë, gjendja fizike bie në mënyrë të pashmangshme. Ne pësuam 28 lëndime”.

“Menduam se transferimi do ta zgjidhte, por ajo zgjidhje ishte afatshkurtër dhe forma ra sërish”, deklaroi Perez për kanalin spanjoll LA SEXTA, në një intervistë të zhvilluar vetëm pak ditë pas konferencës së tij të bujshme për media.

Reali e kishte punësuar Alonson në verën e vitit 2025, pas triumfit të dyfishtë me Bayer Leverkusenin, por klubi e shkarkoi atë në mes të sezonit 2025/26, pas humbjes në Superkupë ndaj rivalëve të përjetshëm Barcelona dhe përfundimit të kampionatit në vendin e dytë, pas katalanasve.

Tensionet me yje si Vinicius Junior e komplikuan edhe më tej periudhën e tij në klub, e cila kishte nisur gjatë Kupës së Botës për Klube.

Alvaro Arbeloa mori drejtimin pas Alonsos, por Real Madridi mbeti i paqëndrueshëm edhe nën komandën e tij. Ndeshja e parë përfundoi në një turpërim: eliminim nga Kupa e Mbretit nga skuadra e kategorisë së dytë, Albacete.

Në La Liga, diferenca me Barcelonën që më pas u shpall kampione, u rrit javë pas jave, ndërsa në Ligën e Kampionëve Reali u eliminua në çerekfinale nga Bayern Munich.

Si rrjedhojë, është gjerësisht e pranuar se Arbeloa do të largohet nga “Bernabeu” në fund të sezonit.