Bruno Fernandes ka reaguar ashpër ndaj Roy Keane, duke e akuzuar legjendën e Manchester Unitedit se ka “gënjyer” për komentet e tij pas ndeshjes.
Përplasja nisi pasi Keane kritikoi kapitenin e Unitedit në “The Overlap”, duke pretenduar se Fernandes ishte më i fokusuar te rekordi personal i asistimeve sesa te paraqitja e skuadrës. Sipas ish-kapitenit irlandez, bisedat rreth Unitedit ishin përqendruar tepër te statistikat individuale të portugezit.
Keane tha se një kapiten i Manchester Unitedit duhet të mendojë para së gjithash për ta shtyrë skuadrën përpara, jo për asistime apo rekorde personale. Ai e kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, Bruno kishte folur pas ndeshjes.

Fernandes tani ka dhënë versionin e tij në podcastin “The Diary of a CEO”, duke këmbëngulur se fjalët e tij janë shtrembëruar. Në intervistën pas ndeshjes, portugezi në fakt kishte thënë se në disa momente duhej të kishte pasuar në vend që të gjuante, dhe se ishte i lumtur jo vetëm për asistin, por mbi të gjitha për fitoren.
“Nuk më pengon kritika. E pranoj gjithmonë kritikën nga kushdo dhe zakonisht nuk i përgjigjem askujt. Por ajo që nuk më pëlqen është kur njerëzit gënjejnë për gjërat që kam thënë. Në këtë rast, ajo që tha Roy Keane është gënjeshtër”, u shpreh Fernandes.
Ai shtoi se është me fat që gjithçka është e regjistruar, sepse përndryshe njerëzit mund të besonin se ai mendon vetëm për asiste dhe rekorde personale.
“Madje kërkova numrin e Ole Gunnar Solskjaer për t’i shkruar dhe për t’i thënë se nuk kam problem me kritikat, por nuk më pëlqen kur njerëzit gënjejnë për fjalët e mia. Kjo e kalon kufirin e asaj që mendoj se është e pranueshme”, shtoi ai.
Pavarësisht polemikave, Fernandes e mbylli sezonin si rekordmen absolut i asistimeve në Premier League, me 21 të tilla. Ai e kaloi rekordin e mëparshëm që mbahej nga Thierry Henry dhe Kevin De Bruyne, duke e konfirmuar veten si krijuesi më i mirë i kampionatit.

Portugezi u shpall gjithashtu lojtari më i mirë i sezonit në Premier League dhe udhëhoqi Manchester Unitedin drejt rikthimit në Ligën e Kampionëve.
Trajneri Michael Carrick, i cili tashmë ka nënshkruar kontratë dyvjeçare si trajner i përhershëm, e ka mbështetur fuqishëm kapitenin e tij.
“Ai ka ndikim të jashtëzakonshëm te ne. Ka qenë kapiten dhe ka udhëhequr me shembull në mënyra të ndryshme. Nuk kam asnjë arsye të mendoj se do të largohet. Ne e vlerësojmë atë që ka bërë dhe ai e do këtë klub, kjo shihet qartë”, tha Carrick.



Të tjera
Fushata zgjedhore zhvendoset në diasporë, partitë në garë për votën e mërgatës – çfarë tregojnë tubimet e fundit?
Ekzekutohen shtesat prej 500 euro për lehonat
Ndeshja e Kosovës me Andorrën, FFK-ja i nxjerrë biletat në shitje