Fushata zgjedhore zhvendoset në diasporë, partitë në garë për votën e mërgatës – çfarë tregojnë tubimet e fundit?

Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, aktivitetet e partive politike në Kosovë janë intensifikuar ndjeshëm edhe në diasporë, e cila po shihet gjithnjë e më shumë si faktor vendimtar për rezultatin zgjedhor.

Vetëm pak javë para ditës së votimit, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka zhvilluar takime me mërgatën në Zvicër, ku ka bërë thirrje për mobilizim dhe pjesëmarrje aktive në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e lidhjes së diasporës me proceset politike në vend.

Pas këtyre aktiviteteve, edhe presidentja Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, kanë zhvilluar takime me komunitetin shqiptar jashtë vendit, duke vënë theksin te roli i diasporës në proceset demokratike dhe forcimin e shtetit.

Në mënyrë të ngjashme, edhe subjektet e tjera politike kanë organizuar tubime dhe takime në vendet ku jeton mërgata, duke e vendosur votën e diasporës në qendër të strategjive të tyre elektorale.

Në këtë kontekst, shtrohet pyetja nëse partitë politike në Kosovë e kanë kuptuar realisht peshën dhe ndikimin e votës së diasporës në rezultatin zgjedhor, apo nëse angazhimi i tyre mbetet kryesisht simbolik dhe i kufizuar në periudha parazgjedhore.

“Diaspora vazhdon të jetë një komponent i rëndësishëm i sistemit politik të Kosovës”

Në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli profesori Nijazi Halili, i cili u shpreh se aktivitetet e shtuara në prag të zgjedhjeve konfirmojnë rëndësinë e mërgatës dhe ndikimin e votës së saj.

“Aktivitetet e intensifikuara të liderëve politikë në raport me diasporën, në prag të proceseve zgjedhore, dëshmojnë për rritjen e rëndësisë së mërgatës si faktor i drejtpërdrejtë në konfigurimet elektorale në Kosovë. Takimet dhe angazhimet e fundit të kryeministrit Albin Kurti, Vjosa Osmanit dhe kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku me diasporën reflektojnë një qasje të orientuar drejt mobilizimit elektoral të këtij segmenti të rëndësishëm të elektoratit.”

Sipas tij, partitë politike e kanë kuptuar peshën e diasporës dhe prandaj kohët e fundit fokusi i tyre te mërgimtarët është shtuar edhe më shumë.

“Nga perspektiva akademike e analizës politike, diaspora e Kosovës paraqet një aktor të rëndësishëm transnacional, i cili ndikon jo vetëm në rezultatet zgjedhore, por edhe në diskursin politik dhe legjitimitetin demokratik. Megjithatë, mbetet e diskutueshme nëse ky angazhim është i institucionalizuar dhe i qëndrueshëm apo kryesisht i kufizuar në periudha zgjedhore.

Image

Nijazi Halili

Në këtë kuptim, vërehet një hendek ndërmjet njohjes së rëndësisë së diasporës dhe politikave konkrete për integrimin e saj të plotë në proceset vendimmarrëse dhe zhvillimore. Edhe pse partitë politike e kanë kuptuar peshën numerike dhe ndikimin elektoral të diasporës, qasja ndaj saj shpesh mbetet instrumentale dhe e orientuar nga ciklet zgjedhore, më shumë sesa nga një strategji afatgjatë e partneritetit shtetëror.

Ndër të tjera, profesori potencoi se diaspora është shumë e rëndësishme për sistemin tonë politik dhe potenciali i saj duhet shfrytëzuar maksimalisht në politikat zhvillimore.

“Përfundimisht, diaspora vazhdon të jetë një komponent i rëndësishëm i sistemit politik të Kosovës, por potenciali i saj ende nuk është shfrytëzuar në mënyrë të plotë dhe të qëndrueshme në kuadër të politikave publike dhe zhvillimore”, përfundoi Nijazi Halili

 

Gashi: Diaspora është bërë faktor real elektoral

Kurse edhe analisti shqiptar nga Gjermania, Eduard Gashi, vlerëson se diaspora është faktor kyç elektoral.

“Për mendimin tim, intensifikimi i takimeve të politikanëve me mërgatën para zgjedhjeve tregon dy gjëra: së pari, se diaspora është bërë faktor real elektoral; së dyti, se partitë politike shpesh e kujtojnë atë më shumë në prag të votimit sesa gjatë qeverisjes.

Lidhja e diasporës me vendlindjen është jashtëzakonisht e rëndësishme. Mërgata ka mbajtur gjallë jo vetëm ekonominë përmes remitancave, por edhe identitetin kombëtar, familjar dhe kulturor. Pa diasporën, Kosova do të ishte më e varfër ekonomikisht, por edhe më e dobët politikisht e simbolikisht”, u shpreh ai.

Sa i përket pjesëmarrjes në votime të diasporës, Gashi vlerëson se kjo çështje është komplekse.

Për këtë ai dha disa argumente për mënyrën se si e vlerëson këtë pjesë.

“Megjithatë, pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje është çështje komplekse. Këtu lind pyetja kryesore: në interes të kujt votohet? Diaspora ka dashuri të madhe për vendin, por shpesh jeton realitete të tjera: paguan taksa në Gjermani, Zvicër apo Austri, ndërsa voton për politika që ndikojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët që jetojnë çdo ditë në Kosovë. Kjo nuk do të thotë se diaspora nuk duhet të votojë, por se duhet të ketë vetëdije të lartë politike për pasojat e votës.

Në një moment krijohen edhe konflikte interesi. Një qytetar në Kosovë e përjeton qeverisjen në arsim, shëndetësi, paga, çmime, drejtësi dhe administratë çdo ditë. Diaspora shpesh e përjeton Kosovën emocionalisht, përmes vizitave, familjes dhe kujtesës kombëtare. Këto dy këndvështrime nuk janë kundër njëra-tjetrës, por nuk janë gjithmonë të njëjta.”

Rrjedhimisht, analisti përmendi faktin se diaspora shihet si potencial mobilizues i madh zgjedhor, ku për këtë edhe partitë kanë kthyer fokusin në këtë pjesë.

Image

Eduard Gashi

Megjithatë, ai kishte edhe disa fjalë sa i përket tubimeve elektorale në diasporë dhe frymës që sjellin ato.

“Një aspekt tjetër që shpesh anashkalohet është edhe perceptimi që krijohet në shtetet ku jeton diaspora. Në shumë vende perëndimore, sidomos në Gjermani apo Zvicër, fushatat intensive politike të importuara nga Ballkani shihen me skepticizëm dhe jo rrallë edhe negativisht. Tubimet e mëdha partiake, retorika emocionale dhe polarizimi politik i bartur jashtë vendit mund të krijojnë përshtypjen se konfliktet dhe tensionet politike të Kosovës po eksportohen edhe në diasporë.

Kjo ndikon edhe në imazhin e shtetit të Kosovës. Një shtet i ri ka nevojë të ndërtojë reputacion institucional, seriozitet demokratik dhe kulturë politike moderne. Kur politika e brendshme zhvillohet në mënyrë shumë agresive edhe jashtë kufijve, ekziston rreziku që Kosova të perceptohet më shumë si shtet i mobilizimit permanent politik sesa si shtet i konsoliduar institucionalisht.

Megjithatë, duket se për partitë politike nevoja për vota shpesh vendoset mbi kujdesin për imazhin afatgjatë të shtetit. Kjo është pjesë e logjikës elektorale: diaspora shihet si potencial mobilizues i madh, prandaj partitë janë të gatshme të investojnë energji të konsiderueshme në fushata jashtë vendit, edhe kur kjo mund të prodhojë efekte të diskutueshme në perceptimin publik në vendet pritëse.”

Më tej, Gashi tha se i mirëpret aktivitetet e politikanëve në diasporë dhe se ato janë të ligjshme, por shpreson që ka edhe sinqeritet brenda tyre.

“Partitë politike e kanë kuptuar peshën numerike të diasporës, por jo gjithmonë peshën e saj institucionale. Pra, ato e shohin diasporën si votë, por jo gjithmonë si partner strategjik. Diaspora nuk duhet të trajtohet vetëm si bankomat ekonomik apo si rezervuar votash para zgjedhjeve. Ajo duhet të përfshihet në politika afatgjata: investime, arsim, kthim të ekspertizës, diplomaci ekonomike dhe lidhje më të forta institucionale me vendin.

Prandaj, aktivitetet e politikanëve në diasporë janë të pritshme dhe legjitime, por problemi qëndron te sinqeriteti i tyre. Nëse takimet bëhen vetëm për fotografi, entuziazëm elektoral dhe mobilizim vote, atëherë kjo është më shumë marketing politik sesa respekt real për mërgatën.”

Në fund, ai shtoi se diaspora meriton vëmendje, por jo vetëm në fushatë.

“Sfida nuk është nëse duhet të ketë komunikim me diasporën — sepse ai është i domosdoshëm — por në çfarë forme bëhet ai. Një qasje më institucionale, më qytetare dhe më pak militante politikisht do t’i shërbente jo vetëm diasporës, por edhe vetë imazhit të Kosovës si shtet evropian në ndërtim. Diaspora meriton vëmendje, por jo vetëm në fushatë. Ajo meriton respekt të përhershëm, përfaqësim serioz dhe një debat më të ndershëm mbi rolin e saj: si pjesë e kombit, po; si faktor politik, po; por gjithmonë me përgjegjësi ndaj realitetit të qytetarëve që jetojnë çdo ditë në Kosovë”, përmbylli Eduard Gashi