Zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë–Serbi po sinjalizojnë një përpjekje të re të Bashkimit Evropian për ta mbajtur aktiv procesin e normalizimit mes dy vendeve.
Komunikimi i disa ditëve më parë, ndërmjet të dërguarit të posaçëm të BE-së, Peter Sorensen, dhe ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, konfirmoi se Brukseli po synon të shtyjë përpara diskutimet rreth hapave të ardhshëm në dialog.
E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli Gunther Fehlinger, Kryetari i Komitetit Austriak për Zgjerimin e NATO-s për Ukrainën, Austrinë, Kosovën, Bosnjën dhe BE-në.
Fillimish, ai tha se takimet e fundit diplomatike mes zyrtarëve të BE-së dhe akterëve në Kosovë, japin sinjal se rajoni i Ballkanit po hyn në një fazë të re strategjike.
Nisur nga kjo iniciativë e BE për rifillim të dialogut, Fehlinger përmendi edhe zhvillimet e fundit në Beograd dhe protestat e vazhdueshme.
Në këtë pike, ai kërkoi që BE së pari të ndryshojë strategji ndaj Serbisë dhe qeverisë së Vuçiqit.
“Në të njëjtën kohë, tendencat autoritare brenda Serbisë nën Presidentin Aleksandar Vuçiç po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Shtypja e protestave, presioni mbi median e pavarur dhe frikësimi në rritje i zërave të opozitës janë zhvillime thellësisht shqetësuese për këdo që beson në demokracinë evropiane.
Bashkimi Evropian duhet të ndalojë së pretenduari se prapambetja demokratike në Serbi është një çështje dytësore. Është thelbësore për stabilitetin e ardhshëm të Ballkanit. Serbia thjesht nuk është gati për BE-në.
Mes tjerash, ai nënvizoi edhe gjërat që ndërkombëtarët duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë, e me këtë rast përmendi edhe ndalimin e pengesave ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet të dërgojë një mesazh shumë të qartë:
• asnjë tolerancë për shtypjen kundër protestuesve paqësorë.
• asnjë paqartësi strategjike midis Evropës dhe Rusisë.
Në vazhdim, Fehlinger kërkoi që Kosova të shpërblehet për qëndrimet dhe politikat e saj euroatlantike.
“Në të njëjtën kohë, Perëndimi duhet ta shpërblejë Kosovën për orientimin e saj të vazhdueshëm euroatlantik.
Prandaj, unë kërkoj:
• Status të menjëhershëm kandidat për BE për Kosovën
• Anëtarësim në Shengen për Kosovën deri në vitin 2027, ngjashëm me Zvicrën
• Anëtarësim në NATO për Kosovën deri në vitin 2027
• Anëtarësim në BE deri në vitin 2029
Kosova është në linjë me botën demokratike. Serbia nën Vuçiçin i ngjan gjithnjë e më shumë kulturës politike të menaxhuar-autoritare që shihet diku tjetër në Evropën Lindore”.
Në fund, Fehlinger paralajmëroi se, javët e ardhshme mund të sjellin iniciativa të reja diplomatike.
“BE dhe NATO duhet të ndalojnë së menaxhuari krizat pafundësisht dhe në vend të kësaj ta formësojnë rajonin strategjikisht: të shpërblejnë aleatët demokratikë, të ushtrojnë presion mbi penguesit autoritarë dhe të përshpejtojnë integrimin euroatlantik për vendet që qartësisht i përkasin Botës së Lirë.
Javët e ardhshme mund të sjellin iniciativa të reja diplomatike, por paqja e qëndrueshme në Ballkan kërkon demokraci, llogaridhënie dhe njohje të plotë të sovranitetit të Kosovës”, përmbylli Gunther Fehlinger



Të tjera
Jeni më të sjellshëm me të huajt se me familjarët tuaj? Këto janë 3 arsyet pse ndodh ky fenomen
Nga 1 Qershori, ndalohen pagesat me para të gatshme mbi 2 mijë euro
🔥 Antalya po të pret – LUKSI që meriton me Crystal Sunset Pearl Collection!