Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, së bashku me zëvendësdrejtorin Sami Salihu, morën pjesë në konferencën ndërkombëtare “Nga Reforma tek Rezultatet: Dëshmi mbi ndikimin e reformës në administratën tatimore”, e organizuar nga Autoriteti i Pavarur për të Ardhurat Publike në Greqi, në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Konferenca u mbajt në Athinë dhe mblodhi drejtues të administratave tatimore, ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve financiare nga vende të ndryshme të Evropës dhe rajonit, me fokus në transformimin institucional, digjitalizimin, përdorimin e inteligjencës artificiale dhe ndikimin e reformave në administratat tatimore.
“Në kuadër të sesionit “Renditja e reformave dhe qëndrueshmëria – Cilat zgjedhje në renditjen e reformave ishin më të rëndësishmet dhe pse? drejtori Mentor Hyseni prezantoi temën “Renditja e reformave dhe qëndrueshmëria – Ndërtimi i besimit, nxitja e rritjes”, ku ndau përvojën e Kosovës në procesin e reformimit të administratës tatimore, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të besimit me tatimpaguesit, avancimin e shërbimeve digjitale dhe krijimin e një administrate moderne, transparente dhe efikase”, njofton ATK.
Me këtë rast, drejtori i ATK-së deklaroi se transformimi i administratës tatimore nuk matet vetëm me rritjen e të hyrave, por edhe me aftësinë për të ndërtuar besim, transparencë dhe shërbime moderne për tatimpaguesit. Vetëm përmes reformave të qëndrueshme dhe digjitalizimit mund të krijojmë një ambient që nxit zhvillimin ekonomik dhe forcimin e institucioneve.
Gjatë konferencës, përfaqësuesit e ATK-së zhvilluan gjithashtu takime me homologë dhe ekspertë ndërkombëtarë, ku u diskutuan praktikat më të mira për modernizimin e administratave tatimore dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar.
“Pjesëmarrja e ATK-së në këtë forum ndërkombëtar paraqet një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e reformave institucionale, në përputhje me standardet moderne evropiane dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në administrimin tatimor”, njofton tutje ATK./rtk



Të tjera
Nis rishikimi i ligjit për Parqet Kombëtare, synohet zgjidhje për Rugovën, Lugun e Butë dhe Deçanin
Hoti: Nuk do të lejojmë që të rinjtë të mbeten pa zanat dhe pa punësim
Fushata zgjedhore zhvendoset në diasporë, partitë në garë për votën e mërgatës – çfarë tregojnë tubimet e fundit?