Vizita e dy kongresistëve amerikanë në Ballkanin Perëndimor po shihet si një sinjal i qartë i rikthimit të vëmendjes së Shteteve të Bashkuara ndaj zhvillimeve në rajon.
Në një periudhë tensionesh politike dhe sfidash të sigurisë, prania e zyrtarëve amerikanë në Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë konsiderohet mesazh mbështetjeje për stabilitetin dhe paqen.
Kongresisti republikan Keith Self dhe ai demokrat Suhas Subramanyam zhvilluan takime në disa vende të rajonit, përfshirë edhe Luginën e Preshevës.
Gjatë vizitës, ata paralajmëruan se Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet i cenueshëm ndaj ndikimeve të jashtme dhe retorikës që mund të nxisë tensione politike e etnike në rajon.
Sipas saj, SHBA-ja po dërgon mesazh të qartë kundër përpjekjeve destabilizuese që, sipas saj, vijnë nga Serbia dhe Rusia, të cilat paraqesin rrezik për paqen dhe orientimin euroatlantik të vendeve të Ballkanit.
“Ekziston rreziku i destabilizimit nëse lihet hapësirë për ndikime malinje dhe narrativa që synojnë përçarjen”, kanë theksuar kongresistët amerikanë gjatë qëndrimit të tyre në rajon, duke nënvizuar nevojën për një prani më aktive të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.
Por, pse Uashingtoni po e sheh të nevojshëm riafirmimin e rolit të tij pikërisht tani, dhe çfarë pasojash mund të sjellin përpjekjet destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit?
Racaj: Vizitat e nivelit të lartë amerikan në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe në rajon në përgjithësi janë gjithashtu mbështetje për shtetet pro-perëndimore
Në lidhje me këtë temë, ish-gjenerali Muhamet Racaj ka folur për “Bota sot”, duke u shprehur se SHBA-ja po rikthehet më fuqishëm në Ballkan për të parandaluar rritjen e tensioneve dhe ndikimin destabilizues të Rusisë përmes Serbisë.
Ai paralajmëron se lidhjet e ngushta mes Beogradit dhe Moskës paraqesin rrezik për sigurinë dhe stabilitetin politik të rajonit.
“Vizita e kongresistëve amerikanë në Ballkanin Perëndimor duhet parë si një sinjal i qartë strategjik se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rikthejnë vëmendjen e shtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të rajonit në një periudhë të ndjeshme gjeopolitike. Kjo vizitë nuk ka vetëm karakter diplomatik, por paraqet edhe një mesazh politik e të sigurisë ndaj aktorëve që tentojnë të destabilizojnë Ballkanin përmes ndikimeve hibride, tensioneve etnike dhe ndërhyrjeve të jashtme.
Në rrethanat aktuale ndërkombëtare, pas agresionit rus në Ukrainë, Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet një nga hapësirat më të ekspozuara ndaj ndikimit rus dhe ndaj politikave destabilizuese që në shumë raste manifestohen përmes aleancës strategjike Beograd-Moskë. Serbia, duke ruajtur lidhje të forta politike, ushtarake dhe energjetike me Rusinë, vazhdon të ndjekë një politikë të dyfishtë: nga njëra anë deklaron orientim evropian, ndërsa nga ana tjetër forcon bashkëpunimin me Moskën dhe Kinën në fushën e sigurisë, inteligjencës dhe propagandës”, u shpreh gjenerali.
Racaj tutje thekson se, SHBA-ja po rikthehet më fuqishëm në Ballkan për të parandaluar destabilizimin nga ndikimi rus dhe tensionet rajonale.
Sipas tij, Kosova mbetet partner strategjik i SHBA-së dhe faktor i rëndësishëm për sigurinë në rajon.
Vizitat e nivelit të lartë amerikan në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe në rajon në përgjithësi janë gjithashtu mbështetje për shtetet pro-perëndimore dhe për institucionet demokratike që përballen me presione të vazhdueshme hibride, dezinformim dhe ndikim malinj rus. Në këtë aspekt, Kosova mbetet një partner strategjik i SHBA-së në Ballkan dhe faktor kyç për arkitekturën euroatlantike të sigurisë në rajon”, shpjegon ai.
Sipas tij, rreziku kryesor nga boshti Serbi-Rusi lidhet me luftën hibride, propagandën dhe përdorimin e krizave etnike për të krijuar paqëndrueshmëri në rajon.
“Po ashtu, nuk duhet anashkaluar fakti se SHBA-ja po dërgon mesazh të qartë se nuk do të tolerojë tentativa për ndryshim të kufijve, tensione të kontrolluara apo instrumentalizim të komuniteteve etnike për interesa gjeopolitike. Prandaj, riafirmimi amerikan është edhe garanci se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor mbetet pjesë e interesit strategjik të Uashingtonit.
Nga perspektiva e sigurisë, rreziku kryesor që vjen nga boshti Serbi-Rusi lidhet me luftën hibride: propagandën, ndërhyrjet informative, radikalizimin politik, infiltrimin në sektorë të sigurisë, si dhe përdorimin e krizave etnike për të prodhuar tensione të kontrolluara. Për këtë arsye, shtetet e rajonit duhet të forcojnë bashkëpunimin me NATO-n, të rrisin kapacitetet kundër kërcënimeve hibride dhe të thellojnë koordinimin strategjik me SHBA-në dhe partnerët euroatlantikë”, thotë ish-gjenerali Racaj për “Bota sot”.
Dashevci: Dihet qasja destruktive e Serbisë në Ballkan, po ndërhynë në mënyrë agresive edhe në zgjedhje në vendin tonë
Ndërsa, eksperti i sigurisë Arben Dashevci në një bashkëbisedim me “Bota sot”, potencoi se SHBA-ja po e riafirmon rolin e saj në rajon për shkak të ndikimit aktiv rus përmes propagandës, dezinformimit dhe luftës hibride.
Ai shpjegon se, Serbia vazhdon të ketë qasje destabilizuese në Ballkan, përmes ndërhyrjeve politike dhe deklaratave destruktive të udhëheqjes së saj.
“SHBA-ja po e konsideron të nevojshme riafirmimin e rolit të saj në rajon pikërisht tani, sepse unë mendoj që Rusia është shumë aktive me ndërhyrjet e saja gjithandej ku ka mundëdi me luftë të egër hibride si, propagandë, sabotazh, dezinformim pra është preventivë nga rreziku që paraqesin përpjekjet destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë në rajon.
Dihet qasja destruktive e Serbisë në Ballkan,po ndërhynë në mënyrë agresive edhe në zgjedhje në vendin tonë, deklaratat e presidentit të Serbisë janë destruktive por edhe i të gjithë establishmentit të kontaminuar të tij”, shpjegon eksperti i sigurisë.
Në fund, eksperti përfundon se institucionet e sigurisë duhet të jenë në vigjilencë 24/7 gjatë zgjedhjeve, për shkak të luftës hibride dhe ndikimit serbo-rus.
Po ashtu, kërkon diplomaci më proaktive për të njoftuar partnerët për propagandën dhe dezinformimin ndaj Kosovës.
“Mendoj që nevoitet vigjilencë e vazhdueshme e të gjitha organeve tona të sigurisë në këtë kohë zgjedhjesh në vendin tonë. Qasja e Serbisë është mjaftë agresive me luftën e sajë hibride si patericë e Rusisë andaj po them nevoitet vigjilencë e organeve tona në 24/7.
Gjithashtu mendoj unë se edhe diplomacia jonë duhet të jetë shumë pro aktive dhe të alarmoj në kohë reale partnerët strategjik pêr këtë qasje destruktive, propaganduese, dezinformuese, nxitëse tash e sa dekada të Serbisë kundrejt vendit tonë”, përfundoi eksperti i sigurisë Arben Dashevci



Të tjera
Çiftet e lumtura nuk i shfaqin marrëdhëniet e tyre në rrjetet sociale
Hej Kosovë! A mundesh edhe njëherë me i dal zot Shqypnis?
Gazetari nga Presheva: Në Serbi do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, ja çfarë e ka trembur Vuçiç