Kongresisti Self: Presidenti më ka thënë se çështja kryesore për Kosovën është hyrja në NATO

Kongresisti Self: Kosova në NATO, thelbësore për stabilitetin rajonal

Si Kryetar i Nënkomisionit për Evropën, kongresmeni Keith Self shfrytëzoi kohën e tij gjatë një seance dëgjimore në Kongres me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për të theksuar rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.

Duke iu referuar vizitës së tij të fundit në Kosovë, në Luginë të Preshevës, Serbi dhe Bosnjë dhe Herzegovinë, kongresmeni Self e përshkroi rajonin si “jashtëzakonisht të brishtë” dhe theksoi se integrimi i Kosovës në institucionet euroatlantike mbetet thelbësor për stabilitetin afatgjatë rajonal.

Kongresmeni Self mirëpriti gjithashtu emërimet e fundit të ambasadorëve amerikanë në vendet e rajonit dhe nënvizoi rëndësinë e emërimit të një Ambasadori të SHBA-së në Kosovë, duke theksuar se pret mbështetjen e administratës për plotësimin e këtij pozicioni të rëndësishëm.

Sekretari Rubio rikonfirmoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në Ballkanin Perëndimor dhe të përkushtuara për parandalimin e konflikteve dhe paqëndrueshmërisë në rajon.

Kongresmeni Self vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në Kongres për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Kosovës, si dhe komuniteteve shqiptaro-amerikane dhe shqiptare.

“Albanians for America vlerëson marrëdhënien dhe partneritetin e gjatë me kryetarin Self dhe shpreh mirënjohje për lidershipin dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj paqes, stabilitetit dhe të ardhmes euroatlantike të Kosovës”, thuhet në njoftim.