Florentino Pérezi është rizgjedhur president i Real Madridit pas zgjedhjeve të para të kontestuara në klub në 20 vitet e fundit.
Perezi e mposhti kandidatin rival, Enrique Riquelme, një biznesmen 37-vjeçar që kishte zhvilluar fushatën e tij duke premtuar emërimin e Jürgen Kloppit si trajner dhe transferimin e Erling Haalandit dhe Rodrit pas një sezoni pa trofe në “Bernabéu”.
Perezi, i cili drejton klubin që nga viti 2009 pas mandatit të tij të parë mes viteve 2000 dhe 2006, siguroi 21,741 vota kundrejt 11,814 votave të rivalit të tij.
Pas shpalljes së fitores, Perezi deklaroi: “Ne kemi arritur rezultatin e dytë më të mirë në historinë e zgjedhjeve të Real Madridit. Është një rezultat i jashtëzakonshëm… Sot fitoi Real Madridi. I kemi treguar botës një shembull demokracie. Do të vazhdojmë të punojmë që Real Madridi të vazhdojë të fitojë trofe… Dua të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë. Së bashku kemi ende shumë histori për të shkruar”.
Tani, José Mourinho pritet të rikthehet në mënyrë sensacionale si trajner i klubit, duke u bashkuar sërish me skuadrën që e drejtoi nga viti 2010 deri në vitin 2013.
Ndërkohë, Ibrahima Konaté pritet të prezantohet zyrtarisht si lojtar i Real Madridit pasi u largua nga Liverpooli si lojtar i lirë.
Gjithashtu, edhe Denzel Dumfries pritet t’i bashkohet madrilenëve nga Interi.
Pas largimit të Konatés, Liverpooli mund të përballet me humbjen e një tjetër lojtari kyç.
Sipas raportimeve nga “Fichajes”, Ryan Gravenberchi është shndërruar në objektivin e radhës të Real Madridit, me Perezin që po përgatitet të testojë vendosmërinë e klubit anglez për njërin nga mesfushorët më të mirë në futbollin evropian.
Holandezi ishte një nga lojtarët më të spikatur gjatë sezonit kur Liverpooli fitoi titullin, megjithëse pati vështirësi sezonin e kaluar, i cili rezultoi të ishte i fundit për trajnerin Arne Slotin në klub.
Trajneri i ri i Liverpoolit, Andoni Iraola, i njohur për stilin e tij intensiv me presion të lartë, pëlqen që mesfushorët të avancojnë me topin nga prapavija, gjë që e bën Gravenberchin një profil ideal për sistemin e ri që pritet të zbatohet në “Anfield”.
Gravenberchi nënshkroi një kontratë të re afatgjatë me Liverpoolin në mars dhe klubi besohet se nuk ka asnjë synim ta lejojë largimin e tij.
Perezi gjithashtu kishte premtuar para zgjedhjeve se gjatë kësaj jave do të dërgojë një ofertë prej 150 milionë eurosh për një “Galaktik” misterioz.
Mes emrave që përfliten për këtë transferim janë Vitinha, João Nevesi dhe Michael Olise.
Megjithatë, si Paris Saint-Germaini ashtu edhe Bayern Munichu kanë këmbëngulur se yjet e tyre nuk do të largohen gjatë kësaj vere.



Të tjera
UEFA shpreh ngushëllime për vdekjen e Fatjon Bunjakut
Rrisni hormonin e lumturisë në mënyrë natyrale
Stërvitje ushtarake, KFOR: Vërtetim i aftësive për t’iu përgjigjur kërcënimeve të mundshme