Prishtina do të jetë qendra e karatesë mesdhetare në vitin 2027, pasi Federata e Karatesë e Kosovës, ka siguruar organizimin e Kampionatit Mesdhetar të Karatesë për kategoritë U14, Kadet, Junior dhe Senior.
Vendimi u mor sot në Asamblenë e Federatës Mesdhetare të Karatesë, e mbajtur në Alexandria të Egjiptit, ku kandidatura e Kosovës mori mbështetje unanime nga të gjitha federatat anëtare.
Ky sukses i rëndësishëm për sportin kosovar vjen si rezultat i angazhimit të Federatës së Karatesë së Kosovës dhe përfaqësimit të saj në Asamble nga kryetari Besart Baruti dhe sekretari i përgjithshëm Nazmi Gashi, të cilët prezantuan para delegatëve kërkesën dhe vizionin e Kosovës për organizimin e kampionatit.
“Asambleja e Federatës Mesdhetare e mbështeti unanimisht këtë kërkesë dhe të gjithë anëtarët votuan pro”, thuhet në njoftimin e Federatës së Karatesë së Kosovës, duke konfirmuar besimin e plotë që komuniteti mesdhetar i karatesë i ka dhënë Kosovës për organizimin e këtij eventi prestigjioz.
Kampionati Mesdhetar i Karatesë 2027 pritet të sjellë në Prishtinë qindra sportistë, trajnerë, zyrtarë dhe mysafirë nga vendet e rajonit mesdhetar, duke e kthyer kryeqytetin në një qendër të rëndësishme sportive dhe promovuese të Kosovës.
Federata e Karatesë e Kosovës e ka cilësuar këtë arritje si një moment historik për karateistët dhe sportin në vend.
“Ky është një sukses i madh për sportin e karatesë dhe për Kosovën, duke dëshmuar besimin dhe respektin që gëzon Federata e Karatesë e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet më tej në reagimin zyrtar të federatës.
FKK ka shprehur gjithashtu mirënjohje për institucionet vendore që kanë mbështetur kandidaturën e Kosovës.
“Federata e Karatesë e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj për Ministrinë e Sportit dhe Rinisë si dhe për Komitetin Olimpik të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e dhënë në sigurimin e organizimit të këtij kampionati”, thuhet në njoftim.
Me organizimin e Kampionatit Mesdhetar 2027, Kosova jo vetëm që forcon pozitën e saj në hartën sportive ndërkombëtare, por dëshmon edhe kapacitetin për të pritur dhe menaxhuar ngjarje të mëdha sportive me rëndësi rajonale dhe ndërkombëtare.



Të tjera
Gashi kërkon zgjedhje të brendshme në LDK
Murati i reagon Ramës për transportin publik: Komuna e Prishtinës nuk i ka ndjekur procedurat ligjore
Shtatë këshilla për largim të akneve dhe problemeve tjera të lëkurës