Ja kur do të fillojë numërimi i votave nga diaspora, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta

KQZ përmbyllë numërimin e të gjitha fletëvotimeve, vendos të rinumërohen 185 vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur numërimin e të gjitha fletëvotimeve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 7 qershor. Procesi është mbyllur dhjetë ditë pas ditës së votimit, ndërsa gjatë së mërkurës janë numëruar votat e fundit që i përkasin votimit me postë nga jashtë vendit, votimit me kusht dhe votimit të personave me nevoja të veçanta.

Njëkohësisht, KQZ ka vendosur të ndërmarrë një proces verifikimi shtesë përmes rinumërimit të 185 vendvotimeve të rregullta, rezultatet e të cilave janë numëruar më herët në Qendrat Komunale të Numërimit.

Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, gjatë një konference për media të mbajtur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Sot, në ditën e 10 pas ditës së zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rritur të përmbyllë procesin e numërimit të të gjitha fletëvotimeve që i takojnë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Në orën 14:30 të ditës së sotme, e mërkurë, 17 qershor, është përmbyllur numërimi i të gjitha fletëvotimeve që i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës, ndërkaq numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta, është përmbyllur në orën 18:30”, tha Elezi.

Ai sqaroi se shpallja e rezultateve përfundimtare do të varet nga procesi i ankesave, i cili sipas ligjit mbetet i hapur edhe pas përfundimit të numërimit.

“E drejta për ankesë lidhur me administrimin në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është një e drejtë që palët kanë mundur ta shfrytëzojnë në vazhdimësi, brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar. Edhe për administrimin e numërimit në ditën e fundit, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ankesat mund të dorëzohen me shkrim në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar. Në rast se brenda 48 orëve nuk do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit në ditën e fundit, KQZ është e gatshme për të proceduar me shpalljen e rezultateve përfundimtare, ndërsa nëse do të ketë ankesa, atëherë KQZ do të presë vendimmarrjen e institucioneve përkatëse dhe do të zbatojë vendimet nëse ato e obligojnë KQZ-në dhe vetëm pastaj mund të shpall rezultatet përfundimtare”, tha Elezi.

Duke folur për vendimin e marrë gjatë ditës, Elezi njoftoi se KQZ ka autorizuar rinumërimin e një pjese të vendvotimeve të rregullta, si masë shtesë kontrolli.

“Gjithashtu, sot gjatë ditës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për të rinumëruar fletëvotimet e 185 vendvotimeve të rregullta, të cilat paraprakisht janë numëruar në Qendrat Komunale të Numërimit. Ky numër përbën 7.41% të vendvotimeve nga gjithsej 2,498 vendvotime të rregullta në të cilat është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026. Kjo masë kontrolli është marrë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi”, tha Elezi.

Ai rikujtoi gjithashtu punën e kryer nga KQZ-ja gjatë periudhës paszgjedhore, duke theksuar se në 38 Qendra Komunale të Numërimit janë verifikuar rezultatet e subjekteve politike nga 2,498 vendvotime të rregullta dhe është realizuar numërimi i votave për kandidatët për deputetë.

Sipas tij, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përfunduar numërimi i votave të hedhura në 47 vendvotime të vendosura në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, ku më 6 qershor votuan rreth 23 mijë shtetas të Kosovës. Gjithashtu janë numëruar afro 83 mijë fletëvotime të ardhura përmes postës.

Elezi bëri të ditur se në QNR është kryer edhe numërimi i rreth 8,700 fletëvotimeve me kusht nga 52 vendvotime me kusht, si dhe i rreth 1,840 fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta.