A rrezikohen pensionet? ZKA-ja nis auditim gjithëpërfshirës

Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit “Sistemi i Integruar Informativ (SII) për skemat pensionale në Kosovë”, për periudhën 2024-2026.

Sipas njoftimit, fushëveprimi i këtij auditimi është Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, përkatësisht Departamenti i Pensioneve, në kuadër te të cilit përfshihen edhe zyrat regjionale, raporton KosovaPress.

“Gjithashtu në fushëveprim është paraparë edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit për rolin e saj në ruajtjen dhe inventarizimin e dosjeve të punëtorëve në ndërmarrjet shoqërore të Kosovës, si dhe Arkivi Shtetëror i Kosovës për rolin e tij në procesin e dokumenteve të arkivuara”, thuhet në komunikatë.

Auditimi ka për qëllim të vlerësojë nëse Sistemi i Integruar Informativ për skemat pensionale funksionon në mënyrë efektive duke siguruar të dhëna të sakta, me shërbime të digjitalizuara si dhe në kohë reale për qytetarët.