Abdixhiku: Pakoja e Qeverisë jo masë sociale

Abdixhiku: Pakoja e Qeverisë jo masë sociale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar pakon e miratuar nga Qeveria në detyrë për mbështetje financiare për disa kategori qytetarësh, duke e cilësuar atë si përpjekje për blerje vote në prag të zgjedhjeve.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po përdor çdo mjet për të qëndruar në pushtet.

“Blerje votash, propagandë, fyerje, ofendime, kriza të njëpasnjëshme. Çdo mjet i mundshëm për të qëndruar me çdo çmim në pushtet. Asnjë ide. Asnjë projekt. Asnjë punë. Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit!”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Sipas tij, qytetarëve u duhet mirëqenie e qëndrueshme dhe jo masa të përkohshme në prag fushatash.

“Qytetarëve u duhet mirëqenia jo si favor elektoral, por si politikë e përhershme shtetërore”, ka shtuar ai.

Qeveria në detyrë ka ndarë nga 100 euro për pensionistët, fëmijët, punëtorët e sektorit privat dhe studentët, si dhe ka miratuar rritjen e shtesave për lehonat.

The post Abdixhiku: Pakoja e Qeverisë jo masë sociale appeared first on Kosovapost.net.