Albin Kurti: “Kurrë s’ka pasur më shumë kërcënime e shantazhe ndaj serbëve në Kosovë”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se terrorin që është duke e bërë Beogradi mbi serbët e Kosovës e kanë të dëshmuar prej vetë ankesave të serbëve, derisa shtoi se asnjëherë më parë s’ka pasur më shumë kërcënim e shantazhe sikurse tani.

Këto deklarata Kurti i bëri në një konferencë për media kur u pyet lidhur me arrestimin e gjashtë serbëve të Graçanicës, të dyshuar për presion, të martën.

“Unë besoj se fjala e ministrit për Komunitete dhe Kthim në mbledhjen e Qeverisë mbi trysninë e madhe që po ushtrohet ndaj serbëve të Kosovës, që patjetër të votojnë Listën Serbe dhe askënd tjetër, si dhe masat që po i ndërmerr Serbia, duke përfshirë edhe përcjelljen e rrjeteve sociale të secilit zyrtar shtetëror, të secilës figurë publike dhe të secilit politikan serb, janë vërtet alarmuese”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka shtuar se ky lloj presioni që po e bën Beogradi zyrtar mbi serbët e Kosovës e kemi të dëshmuar edhe nga vetë ankesat e tyre. Ky fenomen ka marrë përmasa të mëdha prej kohës që unë jam kryeministër.

“Kurrë nuk ka pasur më shumë kërcënime e shantazhe. Në anën tjetër ju e dini që Serbia vazhdimisht mundohet të ketë elemente të saj që të krijojë dualizma brenda territorit tonë të Republikës dhe ato janë veprime ilegale në shtetin tonë të pavarur”, ka shtuar Kurti, raporton KosovaPress.

E, sa i përket hapave të ndërmarrë për formimin e xhandarmërisë së Kosovës, Kurti paralajmëroi se shumë shpejt do të publikohen detaje.

Ai ka thënë se koncept-dokumenti, grupi punues dhe të gjitha hollësitë e tjera do të prezantohen së bashku me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Koncept-dokumentin, grupin punues dhe hollësitë do t’ju njoftojmë shumë shpejt. Ka kohë që ne e kemi menduar këtë gjë. Të gjitha detajet lidhur me idenë tonë do t’i prezantojmë së bashku me ministrin e Brendshëm”, ka deklaruar ai.

E, ideja për formimin e xhandarmërisë Kurti tha se është menduar prej kohësh. /kp/