Ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian do të mbetet një ndër prioritetet kryesore të politikës evropiane edhe në vitin 2026. Ajo foli para Parlamentit austriak gjatë prezantimit të Raportit për planet e BE-së për vitin 2026.
Sipas saj, rëndësi të veçantë strategjike për BE-në vazhdon të ketë Ballkani Perëndimor, ku Unioni synon të forcojë rolin dhe dukshmërinë e tij.
“Komisioni Evropian pritet ta paraqesë paketën vjetore të zgjerimit në vjeshtën e vitit 2026, mbi të cilën Këshilli do të miratojë konkluzionet në dhjetor 2026. Raporti vëren se Mali i Zi shihet si ‘vend lider’ dhe synon mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2026. Ndërkohë që me Shqipërinë janë hapur të gjithë kapitujt e negociatave, procesi po ngadalësohet nga bllokadat e brendshme politike në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë”, tha Meinl-Reisinger.
Raporti thekson se nxitja e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal do të mbeten edhe në vitin 2026 në qendër të mbështetjes që Austria u ofron vendeve të rajonit.
“Austria angazhohet ta bëjë procesin e zgjerimit më dinamik përmes bashkimit të disa hapave dhe rritjes së standardizimit të procedurave. Ne mbështesim vendimmarrjen me shumicë të cilësuar në hapat teknikë të negociatave të anëtarësimit. Po ashtu, do të vazhdojë puna për zbatimin e propozimeve austriake për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në fusha të caktuara të BE-së, si dhe për thellimin e bashkëpunimit politik me gjashtë vendet e rajonit”, u shpreh ministrja austriake.



Të tjera
Bislimi i dorëzon detyrën e zëvendëskryeministrit të parë, Glauk Konjufcës
Diplomacia shqiptare do të mbrojë të vërtetën e luftës së UÇK-së
Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së, Anu Prattipati