Jeton Zulfaj, Kryenegociator i Kosovës me Bashkimin Evropian, dhe Valentina Superti, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (DP ENEST), hapën dje në Prishtinë takimin e 7-të të Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Sipas një njoftimi për media thuhet se Komiteti, i bashkë-kryesuar nga Arben Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit, dhe Jiri Plecity, Shef i Njësisë së DP ENEST përgjegjëse për Kosovën, shqyrtoi zhvillimet kryesore politike gjatë periudhës së fundit dhe bëri një vlerësim të gjendjes së zbatimit të kritereve politike dhe ekonomike, përafrimit me legjislacionin dhe standardet e BE-së, si dhe të zbatimit të obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA).
“Diskutimet u përqendruan në prioritetet e reformave në një gamë të gjerë fushash, duke u mbështetur dhe duke miratuar rezultatet e mbledhjeve të nënkomiteteve sektoriale dhe grupeve të veçanta të mbajtura në kuadër të ciklit të shtatë të Dialogut për Stabilizim-Asociimit”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se duke njohur përparimet e arritura në disa fusha, BE-ja nënvizoi rëndësinë e institucioneve plotësisht funksionale për përshpejtimin e nevojshëm të procesit të reformave.
“BE-ja theksoi se e ardhmja evropiane e Kosovës mbetet përpjekje e tërë shoqërisë, e mbështetur nga një konsensus i gjerë dhe i qëndrueshëm publik. Në këtë kontekst, bashkëpunimi i shtuar ndërmjet partive politike, konsultimi kuptimplotë me shoqërinë civile dhe angazhimi me pushtetin lokal mbeten faktorë të rëndësishëm për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës”.
Siç thuhet në njoftim BE-ja mirëpriti përparimin në fushat që lidhen me konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse, veçanërisht në politikat sociale dhe punësim, transformimin digjital, tatimet, politikat ekonomike dhe monetare, arsimin dhe kulturën, dhe doganat.
“Duke njohur përparimet e arritura së fundmi në demokraci dhe sundimin e ligjit, BE-ja theksoi nevojën për të përshpejtuar dhe prioritizuar reformat që janë në pritje, veçanërisht në administratën publike, lirinë e shprehjes, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të të drejtave të personave që u përkasin komuniteteve joshumicë”.
Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës vuri në pah përparimet e arritura dhe rikonfirmoi përkushtimin e saj për avancimin e agjendës së reformave, zbatimin e obligimeve që rrjedhin nga MSA-ja dhe shfrytëzimin e plotë të mundësive që ofron Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor për të përshpejtuar zhvillimin socio-ekonomik dhe përparimin në rrugën evropiane.
“Të dyja palët u pajtuan të vazhdojnë angazhimin e tyre në dobi të procesit të reformave të Kosovës dhe aspiratave të saj evropiane. Si partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare, që ka investuar më tepër se 3.7 miliardë euro në Kosovë që nga viti 1999, BE-ja konfirmoi përkushtimin e saj për të mbështetur përparimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, thuhet në njoftim.



Të tjera
Trajtimi me qumësht blete, sekreti kundër rrudhave të fytyrës
Kurti: Paga minimale rritet në 500 euro, përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë
KPK nis intervistimin e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit