Botërori 2026 nis me incidente, dhjetëra të arrestuar para ndeshjes hapëse – Ekonomia Online

Botërori 2026 nis me incidente, dhjetëra të arrestuar para ndeshjes hapëse

Festa e ndeshjes hapëse të Meksikës në Kupën e Botës 2026 është shoqëruar me incidente të dhunshme jashtë stadiumit “Estadio Azteca”, pak para fillimit të takimit, kur grupe tifozësh pa bileta dhe protestues kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e stadiumit.

Sipas mediave të huaja, situata është përshkallëzuar në momentin kur disa grupe personash kanë filluar të hedhin gurë dhe shishe në drejtim të forcave të policisë, kryesisht pranë portës numër 8 të stadiumit.

Raportohet se dhjetëra persona janë arrestuar gjatë ndërhyrjes së autoriteteve.

Në ditët para fillimit të turneut, autoritetet në Mexico City janë përballur me një sërë protestash të ndryshme nga grupe mësuesish, gjyqtarësh në pension dhe familjarësh të personave të zhdukur.

Megjithatë, incidenti i ndodhur pranë stadiumit nuk dyshohet të ketë pasur motiv të drejtpërdrejtë politik.

Policia lokale ka bërë të ditur se rreth 200 persona të maskuar janë ndarë nga grupe më të mëdha protestuesish dhe kanë tentuar të sulmojnë portat e stadiumit, duke përdorur tulla, shishe dhe madje edhe bomba molotov si mjete sulmi.

Si pasojë e përplasjeve, disa efektivë policie kanë marrë trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara.

Pavarësisht tensioneve, autoritetet kanë konfirmuar se situata është vënë nën kontroll nga policia metropolitane dhe ndeshja nuk është shtyrë, duke u zhvilluar sipas programit të paraparë.

Ndërkohë, në qendër të qytetit është mbajtur edhe një aktivitet festiv i organizuar nga FIFA në sheshin e njohur Zócalo, i cili ka vijuar normalisht pavarësisht përpjekjeve të disa grupeve për ta penguar.