"Dënimi i Thaçit dhe të tjerëve mund të kontestojë edhe pavarësinë"

Dënimi i Thaçit dhe të tjerëve mund të kontestojë edhe pavarësinë

Analisti, Dardan Gashi, në Debat Plus, ka komentuar ndikimin e mundshëm të dënimit të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Gjykata Speciale në Hagë.

Sipas Gashit, nëse gjykata vendos për dënimin e tyre, nuk bëhet fjalë vetëm për individë, por për dënimin e gjithë një lufte.

Ai argumentoi se një vendim i tillë mund të japë mundësi për gjeneratat e ardhshme në Serbi që të kontestojnë pavarësinë e Kosovës, duke pretenduar se ajo është ndërtuar mbi krime.

“Nëse dënohen Hashim Thaci dhe të tjerë. Nuk janë duke u dënuar individualisht, janë duke u dënuar komplet një luftë. Edhe narrativi ynë, kur e kemi filluar ta refuzojmë prezencën e Serbisë atëherë, kemi thënë se Serbia nuk ka ta drejtë qeverisë në Kosovë sepse prezencën e ka të ndërtuar mbi krime. Prej 1912 e këtej. E i kemi prezantuar fakte perëndimit. Nëse kjo gjykatë vjen në përfundim se duhet t’i dënojë Hashim Thacin dhe të tjerët, rrjedhimisht po u jep një mundësi gjeneratave të ardhshme në Serbi ta kontestojnë pavarësinë e Kosovës. Foli çka doni kështu i bie. Ua jep mundësinë gjeneratave të ardhshme në Serbi të thonë se Kosova është ndërtuar mbi një krim. sepse një njeriu që e ka lexuar deklaratën e pavarësisë e ka qenë udhëheqës i luftës është i dënuar për krime”, ka thënë Gashi.

Gashi gjithashtu kritikoi LDK-në që në momentet e fundit të diskutimeve në Kuvend ka tentuar të përfshi në rezolutën për Specialen elemente që ai i konsideron pjesë të aktakuzës së Prokurorisë së Hagës, duke theksuar se kjo, sipas tij, konfirmon indirekt pretendimet e tyre.

“E nëse një parti politike e cila thotë se është parti institucionaliste, në momentin e fundit kërkon me shti diçka në rezolutë, që është pjesa kyçe e aktakuzës. Pjesa kyçe thotë se këta katër si pjesë e një grupi kriminal kanë dashtë edhe me mposhtë LDK-në si strukturë politikë. Dhe LDK në momentet e fundit të kësaj beteje dhe del e konfirmon një farë mënyre aktakuzën, unë iu garanton se po të ishte Ibrahim Rugova gjallë s’do ta lejojë kurrë përjetë një gjë të tillë”, ka thënë Gashi.