Vendimi për Banjskën, Sveçla paralajmëron: Drejtësia do t’i godasë të gjithë, edhe Radoiçiqin
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se vendimi për rastin e sulmit terrorist në Banjskë duhet të reflektojë dënime maksimale për të gjithë të përfshirët, pa asnjë përjashtim, përcjell Kosova Post.
Sipas tij, përgjegjësia duhet të shtrihet mbi të gjithë pjesëtarët e rrjetit prej 45 personash të identifikuar, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë e barabartë për secilin.
Sveçla e cilësoi sulmin e 24 shtatorit 2023 si një operacion të organizuar, jo një akt të izoluar, duke akuzuar Serbinë për mbështetje shtetërore me qëllim cenimin e rendit kushtetues dhe aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës.
Ai theksoi se institucionet e Kosovës arritën të ndalin një skenar të rrezikshëm për ndarje, ndërsa shtoi se ekzistojnë prova që dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë.
Ministri deklaroi se strukturat kriminale dhe paramilitare në veri tashmë janë çmontuar dhe rendi kushtetues është mbrojtur, por shtoi se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik.
Duke përmendur rënien e heroit Afrim Bunjaku, Sveçla tha se dënimi nuk e kthen atë, por përbën një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe për dhimbjen e familjes, kolegëve dhe qytetarëve.
Ai theksoi se vendimi duhet të shërbejë si mesazh i qartë se kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj do të përballet me drejtësinë.
“Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiqin,” ka deklaruar Sveçla.



Të tjera
OVL-UÇK mirëpret procedimin e ligjit për UÇK në javën tjetër
Lëkura e skuqur tregon probleme me zemrën
PAMJE QË PREKIN ZEMRAT: Presidentja Osmani përqafon familjarët e heroit, deklarata që “dridhi” sallën pas aktgjykimit!