Nga Prof. Dr. Enver Bytyç
Mediet po i japin jehonë të jashtëzakonshme dëshmive të personaliteteve perendimore e sidomos atyre amerikane në rastin Thaçi dhe të tjerët në Gjykatën Speciale të Hagës në Kosovë. Të gjithë këta që po flasin në mbrojtje të ish-presidentit Thaçi theksojnë një fakt jo të krejtësisht të saktë: – Se Hashim Thaçi është i pafajshëm, pasi gjatë luftës “nuk e ka pyetur askush”, nuk e “ka përfilliur askush”, “nuk ka patur kompetenca”, dhe për pasojë “nuk ka kryer krime”! Narrativa kryesore e këtyre pohimeve është se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e ndërtuar me hierarki horizontale dhe jo vertikale”! Dmth se “krimet janë bërë nga të tjerët, por jo me urdhër të Hashim Thaçit”!
E vërteta është se organizimi ushtarak i UÇK-së ka qenë më shumë horizontal, sesa vertikal. Por politikisht ajo është përfaqësuar vetëm nga Hashim Thaçi dhe Adem Demaçi. Dëshmitarët e Thaçit u përpoqën në dëshmitë e tyre që barrën e përgjegjësive t’ia kalojnë në fakt Demaçit, këtij “radikali ekstremist”, që ishte i tillë, sepse “kishte vuajtur në burgjet serbo-jugosllave”! Është krejt e natyrshme që dëshmitarët e mbrojtjes të dalin në mbrojtje të klientit të tyre, në rastin konkret të Hashim Thaçit. Eshtë gjithashtu krejt e pranueshme dhe legjitime që krerët e NATO-s dhe diplomatët amerikanë ta mbrojnë Hashim Thaçin, sepse kishin bashkëpunuar me të.
Por është i papranueshëm argumenti, sipas të cilit “meqenëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte hierarki horizontale” atëherë aktiviteti i Hashim Thaçit, roli dhe përgjegjësia e tij janë null. Kjo nuk ka as logjikë, as nuk është racionale. Së pari, sepse p.sh Wesli Clarc shkruan vetë në librin e tij “Lufta moderne”, se aleat i NATO-s nuk ishte vetëm përfaqësuesi politik, Thaçi, por e gjithë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ai në atë libër ngre në piedestal luftën e UÇK-së në Koshare kundër forcave serbe dhe shpjegon se si kjo betejë e ndihëmoi aleancën atlantike t’i bëjë presion Milosheviçit që të dorëzohej. Që do të thotë se dëshmitarët e Hashim Thaçit nuk mundet që duke mbrojtur klientin e tyre, të ngarkojnë me përgjegjësi komandat lokale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke i ngarkuar me përgjegjësi këto komanda, duket sikur në këmbim të “pafajësisë” së zotit Thaçi, po tentohet të fajësohet vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Po çfarë është e vërteta? E vërteta është se UÇK në fillimet e veta ka qenë plotësisht me hierarki horizontale. Me emrimin e Hashim Thaçit në krye të drejtorisë politike kjo ushtri shkoi drejt centralizimit. Gjithnjë duke i dhënë luftës jo vetëm frymën e patriotizmit për t’u çliruar nga dhuna, genocidi dhe okupimi i Serbisë, por edhe ngjyra ideologjike të tmerrshme. Me daljen e Hashim Thaçit u thelluan përçarjet politike brenda spektrit politik të Kosovës dhe kjo ndodhi edhe me kontributin e ish-drejtuesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe disa eksponentëve të shtetit shqiptar, përfshirë Rexhep Meidanin dhe Fatos Klosin. Rexhep Qosja, kjo fosile e fundit e neojugosllavizmit dhe doktrinës markiste në Kosovë, mbante lidhjet e nevojshme me krerët e shtetit të Tiranës dhe nxiste vëllavrasjen e luftën kundër Ibrahim Rugovës. Thaçi në atë moshë u bë me vullnet e me militantizëm masha e Rexhep Qosjes, me të cilin më vonë pati thyerjet e veta.
Megjithatë, edhe sikur e vërteta e funksionimit të decentralizuar të UÇK-së të ishte plotësisht e saktë, taktika e fajësimit të saj për të shpëtuar një njeri, në rastin konkret Hashim Thaçin, është taktika më e pamoralshme, më e gabuar, më anti-patriotike dhe më e dëmshme për Kosovën dhe sidomos për Ushtrinë Çlirimtare të saj. Veteranët e luftës në Kosovë duhet të zgjohen dhe të kuptojnë se gjyqi i Thaçit në Hagë është kthyer në gjyq për UÇK-në dhe për ata vetë si veteranë! E gjitha kjo jo për faj të tyre, por të atij që ata e mbrojnë me kaq forcë! Një lider, edhe kur fajet rëndojnë mbi vartësit, i merr ai vetë përgjegjësitë. Prandaj dhe Hashim Thaçi nuk mund të quhet lider!



Të tjera
Gjashtë sëmundjet që nuk ju lënë të dobësoheni
Ja si duhet ta largoni vetminë
Ja çfarë efekti ka përdorimi i telefonit gjatë ngrënies