Macron: Sanksionet amerikane ndaj Rusisë, një pikë kthese

Franca: Operacionet tona në Hormuz “nuk kanë qenë kurrë një qëndrim ofensiv”

Qeveria franceze tha të hënën se operacionet e saj të planifikuara detare në Ngushticën e Hormuzit “nuk kanë qenë kurrë një qëndrim ofensiv”, transmeton Anadolu.

“Ne e kemi thënë shumë qartë dhe vazhdimisht që nga fillimi: është një qëndrim ekskluzivisht mbrojtës”, tha zëdhënësja e qeverisë Maud Bregeon në transmetuesin BFMTV pas paralajmërimeve iraniane mbi aktivitetin e mundshëm detar perëndimor në rajon.

Bregeon tha se Franca, duke punuar me Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerë të tjerë, po kërkon të mbështesë rivendosjen e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit.

“Ne kemi ndërmarrë një iniciativë për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, përsëri në një qëndrim ekskluzivisht mbrojtës, në koordinim me forcat e ndryshme në rajon kur kushtet e sigurisë ta lejojnë”, tha ajo.

Irani ka paralajmëruar se çdo vendosje detare franceze ose britanike në ose rreth Ngushticës së Hormuzit do të përballet me një “përgjigje vendimtare dhe të menjëhershme” nga forcat e saj të armatosura.

Bregeon tha se Presidenti Emmanuel Macron kia nënvizuar “në mënyrë të përsëritur” qëndrimin e Francës dhe ka hedhur poshtë çdo sugjerim për një qëllim ofensiv.

Ajo tha se prania ushtarake e Francës në rajon, përfshirë lëvizjen e aeroplanmbajtëses Charles de Gaulle drejt Detit të Kuq jugor, ka për qëllim mbështetjen e operacioneve të sigurisë detare.

“Objektivi është rihapja e Ngushticës së Hormuzit. Kjo është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe e nevojshme për ekonominë globale”, deklaroi ajo.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar hakmarrje nga Teherani kundër Izraelit, si dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, së bashku me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit pakistanez, por bisedimet në Islamabad dështuan të prodhonin një marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi u zgjat më vonë nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump pa një afat të caktuar, duke i hapur rrugë diplomacisë për një zgjidhje të përhershme të luftës.